KOMENT / Kandidatët e pavarur i kemi, pse nuk i votojmë?
nga Dionis Xhafa - Praktikisht për zgjedhjet e 21 qershorit në kryeqytet kemi dy kandidatë të pavarur që janë Gjergj Bojaxhi dhe Sazan Guri, të cilët mund të themi se e përfaqësojnë deri diku denjësisht shoqërinë civile, meqenëse kandidimi si i pavarur nënkupton “ardhje” e këtyre njerëzve nga shoqëria civile. Paçka asaj sesa vota do të marrë Bojaxhi, Guri apo të tjerë kandidatë me status të këtillë si këta, dy personat në fjalë janë për tu përgëzuar për iniciativën që kanë ndërmarrë.

Kandidimi si i pavarur vs. Kandidimi me sigël partie

Të kandidosh si i pavarur në zgjedhje në Shqipëri, në ato lokale apo qendrore, është sfidë vështirësisht e përballueshme. Rivaliteti dhe terreni i ashpër politik në vendin tonë, ka dëshmuar se të kandidosh pa siglën e një partie praktikisht gjendesh përballë një sfide tejet të vështirë. Një kandidat që nuk e ka një parti që e mbështet dhe e financon, në realitetin e sotëm politik shqiptar, gjasat që ky kandidat të dalë i fituar janë të pakta. Duke qenë se jetojmë edhe në kohë të ekonomisë dhe jo të ideologjisë, fitorja në të tilla raste do të ishte një mrekulli. Të përballesh me kandidatë, të cilët nga pas financohen dhe ndihmohen me sigla partish, është ndeshje e vështirë për tu fituar.

Pretendimet e partive të mëdha për kandidatët e pavarur


Dy koalicionet e mëdha në vend, nga njëra anë PS-LSI me aleatë dhe nga ana tjetër PD me aleatë në të tilla kushte nxjerrin deklarata të tilla, “X kandidat është futur në lojë për të na dëmtuar neve, duke qenë se votuesit i ka të tanët dhe votat tona humbasin, e si rrjedhojë shkojnë në favor të kundërshtarit”. E sigurt, që këtë version në mos e thënçin vetë PS, PD apo LSI do ta thonë persona që iu shërbejnë këtyre partive në një mënyrë apo tjetër. Le të shpresojmë që emri i Gjergj Bojaxhiut dhe i Sazan Gurit këtë herë të mos keqpërdoren dendur nga partitë e mëdha.

Pse nuk e votojmë kauzën idealiste?

Thuajse të gjithë në kafene apo në ambjentet tona shtëpiake ose në rreth miqsh flasim për një shoqëri, ku politika të zërë gjithnjë e më pak vend dhe ku mos të ketë politikanë që vendosin me dorën e tyre të hekurt mbi gjithçka. I duam edhe ata që na qeverisin që të jenë sa më të thjeshtë, sikur të ishte tamam dikush nga ne. Ndërsa, shumica flasin kështu, në votime nuk ndodh kjo.

Njerëzit në shumicë ndajnë interesa me politikën dhe me politikanët, sidomos ata të fuqishmit. Idealizmi që ngrihet në qiell shpesh para zgjedhjeve, shndërrohet në pluhur e hi, në pak vota të disa njerëzve që janë vërtetë idealistë, parim i cili shprehet vetëm tek vullneti politik më i lartë që njeh demokracia, tek vota e lirë.

Mos është ky edhe një tregues, që të gjithë ata që flasin për një sistem ku politika të mos jetë shumë e pranishme, janë ndër ata që të parët i vënë shkelmin ndërtimit të një sistemi të tillë? Gjasat janë që shumë nga ne janë hipokritë dhe kjo është një nga arsyet se përse sistemi vijon të jetë i tillë, ku predominon forca e politikës.

Nga ana tjetër, ekziston edhe mundësia që kandidatët e pavarur të mos na bindin me platformat e tyre, të cilat për hir të vërtetës, shpesh as që shqyrtohen ne hollësi nga votuesit.

Sidoqoftë, sido që të përfundojnë dhe sado vota të marrin, Gjergj Bojaxhi dhe Sazan Guri e morën guximin të hedhin kandidaturën për kryetar bashkie të kryeqytetit si të pavarur - ashtu siç dëgjojmë të thonë njerëzit se nuk duan një politikë hijerëndë. Bojaxhiu dhe Guri janë një vlerë e shtuar e demokracisë që e jetojmë. /albeu.com/
Shtuar më 05/04/2015, ora 13:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori