KOMENT/ Erdogan, miku që hyn pa leje nga Dhoma e Pritjes në Kuzhinë
Koment nga Albeu - Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi një vizitë të ngjeshur njëditore në Shqipëri duke pasur dy agjenda, njerën politike dhe tjetrën fetare. Madje u duk se e dyta ishtë tërësisht në shërbim te te parës, nisur edhe nga fakti se Turqia është aktualisht nën ethet e fushatës elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme në 7 qershor.

Në kuadër të fushatës së tij, Erdogan ka nisur një seri mitingjesh në qytete të ndryshme të Turqisë dhe u duk se Tirana ishte qyteti i rradhës ku ai ndaloi për të bërë të njëjtën gjë.

Në agjendën politike, Erdogan zhvilloi takime me Presidentin Nishani dhe Kryeministrin Rama duke folur për një serë bashkëpunimesh dhe marrëveshjes në fusha të ndryshme.

Pavarësisht premtimeve për marrëveshje dhe investimeve disa qindra milionë dollar në Shqipëri, qëllimi primar i vizitës së tij kishte të bënte me zgjedhjet në Turqi dhe luftën ndaj Levizjes së “Hizmetit”.

Në një pjesë të fjalimit të tij, Presidenti i Turqisë deklaroi se i kishte kërkuar Kryeministrit Rama dhe Presidentit Nishani mbylljen e rrjetit të shkollave dhe bizneseve të Levizjes “Hizmet” në Shqipëri, të frymëzuara nga mendimtari Fethullah Gylen.

Zinxhiri i shkollave në fjalë përbëhet edhe nga kolegje të njohura, të cilat ushtrojnë aktivitet që prej fillimit të viteve ’90 në Shqipëri.

Në këmbim të tyre, Erdogan premtoi se do të investonte për ndërtimin e shkollave të tjera të ngjashme me to me fonde të qeverisë turke. Të njëjtin premtim ai e ka bërë edhe në shtete të tjera.

Shpërndarja e shkollave të financuara nga qeveria turke është një taktikë e qeverisë së Erdoganit në kuadër të luftës së hapur të tij ndaj Levizjes “Hizmet”, por edhe shtrirjes së influences turke në rajon.

Nën sulmin e Erdogan ishin edhe një serë medresesh të administruara nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Jo rastësisht, në vizitën e tij në Shqipëri, ai ishte i shoqëruar nga ministri i Çështjeve Fetare në Turqi, Mehmet Gormez.

Çështjet fetare kontrollohen direkt nga qeveria në Turqi. Edhe shkollat e premtuara nga Erdogani këtu do të kontrollohen nga Ministria për Çështjet Fetare në këtë vend. Në këtë mënyrë, qeveria turke kërkon të shtjerë në dorë edhe jetën fetare në Shqipëri nëpërmjet hapjes së Medreseve të saj këtu.

Me vizitën në Tiranë, Erdogan kishte dy synime kryesore: I pari lidhet drejtpërdrejtë me fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme në Turqi, të cilat janë vendimtare për të ardhmen e tij politike. Qëllimi i dytë ishtë të kërkonte publikisht kalimin e arsimimit fetar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në duart e qeverisë së Turqisë, që
është qartazi një ndërhyje e politikës se nje shteti te huaj në cështjet fetare ne Shqiperi.

Ndërkohë, Shqipëria është vetë në një klimë fushate zgjedhore, edhe pse kandidatët nuk e kanë për jetë a vdekje fitoren si vetë Erdogan.

Ngatërrimi i mesazheve të fushatës së zgjedhjeve të Turqisë me atë të zgjedhjeve në Shqipëri në këto ditë të nxehta maji, në kuadër të faktit se shqiptarët janë edhe shumë mikëpritës, më shumë se zhurmë duken një kalim pa leje i mikut nga dhoma e pritjes në kuzhinë. /albeu.com/
Shtuar më 13/05/2015, ora 20:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori