KOMENT/ E rrallë, një debat i hajrit në Kuvend
Parlamenti nuk i ka shpëtuar as sot debateve “poshtë brezit” mes deputetëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës, nisur edhe nga fakti që jemi në prag të zgjedhjeve lokale dhe fushata e kërkon një gjuhë më të ashpër.

Por, në këtë ledh të diskutimeve pa bereqet sot mund të veçohej një oaz i mirëfilltë i debatit të shëndetshëm politik në lidhje me politikën e jashtme të vendit.

Në fokus ishte diplomacia dhe politika e jashtme e Shqipërisë, ku deputetët Ben Blushi dhe Aldo Bummçi kanë debatuar me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati në lidhje me qendrimin ndaj ngjarjeve në Maqedoni dhe veton shqiptare ndaj integrimit të saj në NATO.

Blushi e gjeti të pavend veton shqiptare ndaj Maqedonisë me argumentin se kjo do të forcojë edhe më tej Gruevskin.

“Qeveria dje ka thënë mund të rishikojmë veton tonë për anëtarësimin e saj në NATO. Po të flasë ministri i Jashtëm do ta interpretojë deklaratën. Nuk shoh që njerëzit që prodhojnë politikën e jashtme janë të koordinuar. Do ta interpretojnë, do ta zbusin. Gruevski është bërë më i fortë nga vetoja greke, e ka përdorur duke thënë se mua më sulmojnë fuqitë e jashtme”,- tha ai.

Më tej, Blushi kërkoi nga qeveria që të mos ndërmerrte veprime të shkëputura në drejtim të politikës së jashtme por të ketë një projekt të qartë.

“Nuk jam i bindur se dy veto do funksionin më shumë. Nuk jemi sot në ditët më të mira të politikës së Jashtme, mund të kishim pak më vështrim strategjik. Qeveria në disa raste ngatërron fishekzjarrin me dritën, fishekzjarri ndriçon në një minutë. Politika jonë e Jashtme nuk mund të mbushet me fishekzjarre”.

Nga ana tjetër, Bushati theksoi se është bërë mjaftueshëm për ndjekjen e zhvillimeve në Maqedoni duke theksuar edhe reagimet e NATO-s dhe Gjermanisë erdhën pikërisht për shkak të angazhimit shqiptar.

“Shqipëria ka qenë e qartë që në krye të herës për zhvillimet në Maqedoni. Sepse po të mos ishte e qartë që në krye të herës unë sërish ju sfidoj. Ne zyrtarisht kërkuam në NATO, hetim transparencë ndërkombëtare për rastin e Kumanovës. Të njëjtën kërkesë bëri sekretari i përgjithshëm I NATO-s. Të njëjtën kërkesë dhe ministri I jashtëm gjerman. Na thoni të nderuar kolegë çfarë duhet të bëjmë më shumë”.

Bushati ndërkohë vlerësoi partneritetin strategjik me SHBA-të duke theksuar se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që konsiderohet se mund të ketë influencë pozitive tek fqinjët.

“Shumë pak vende e kanë këtë luks që të konsiderohen partnerë strategjikë . Kjo është meritë e qeverisë por dhe e opozitës”, - tha ai.

Aldo Bumçi, i cili ka qenë ministër i Jashtëm nën qeverinë Berisha theksoi se vetoja shqiptare ndaj hyrjes së Maqedonisë në NATO nuk është në shërbim të shqiptarëve. Sipas tij, ekzistenca e një shteti si Maqedonia është në të mirë të kombit tonë për shkak të balancave gjeopolitike.

“Në 24 vjet kjo është hera e parë që ne ndryshojmë politikën e jashtme ndaj Maqedonisë. Maqedonia e pavarur është në interres të shqiptarëve. Zvogëloi Serbinë, ndau Serbinë me Greqinë dhe i dha shqiptarëve statusin e shtetformuesit. Rama tha se nuk do të futen në NATO po nuk zbatuan Marrëveshjen e Ohrit. Marrëveshja e Ohrit nuk është një akt, por një proces. Një pjesë e saj është plotësuar dhe një pjesë duhet të plotësohet. Gjuhën e dhunës ndaj Maqedonisë e ka përdorur Greqia dhe po e përdor edhe sot. Nuk është në interesin tonë që të ndryshojnë politika që janë aplikuar në 24 vjet nga ju (pozita) dhe nga ne”.

Debati i mësipërm është krejt normal për parlamentin e një vendi, por merr nota anormaliteti pozitiv kur sheh se shumcia e diskutimeve kanë të bëjnë me akuza dhe kundër akuza personale shpesh herë edhe banale. /albeu.com/
Shtuar më 21/05/2015, ora 20:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori