KOMENT/ E majta rrezikon seriozisht në Sarandë
Heqja e Stefan Çipës nga gara për Bashkinë e Sarandës duke kandiduar një propozim të deputetit të qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima duket se e ka komplikuar shumë situatën e së majtës në këtë bashki.

Në letër, socialistët duket t’i kenë lehtësisht të fituara shumë bashki në këto zgjedhje duke marrë parasysh koalicionin e gjerë, por situata ndryshon disi në Bashkinë e Sarandës ku diferencat mes koalicioneve janë shumë të ngushta pavarësisht numrit të lartë të partive që rreshtohen pranë PS-së.

Nëse i referohemi zgjedhjeve të fundit në Sarandë, Stefan Çipa e ka fituar më shumë këtë bashki me votat e veta personale se sa ato të marra nga mbështetja popullore për koalicionin që kishte pas.

Çipa fitoi në Sarandë në 2011 me 7 236 vota kundrejt 4 891 votave që mori Edmond Gjoka i koalicionit të djathtë.

Kurse, i gjithë koalicioni i majtë që mbështeste Çipën mori gjithsej 5 364 vota. Pra, Stefan Çipa si kandidat mori 1 872 vota më shumë se sa i gjithë koalicioni që e mbështeste atë.

Edhe duke kaluar votat e PDIU-së dhe LSI-së majtas, sërish votat e marra në 2011 në Sarandë nga Stefan Çipa janë më shumë se ato të koalicionit të ri.

PD-ja me aleatët e saj ndërkohë kanë kandiduar në Sarandë Kreshnik Bozhon, një figurë e mirënjohur në këtë qytet dhe që ka ruajtur më shumë një profil të ulët politik. Nëse do të bëjë një garë të mirë studiuar duke shfrytëzuar edhe pakënaqësinë e Stefan Çipës, Bozho e rrezikon seriozisht të majtën në Sarandë pavarësisht numrit të madh të partive të koalicionit të majtë.

Më atë që deklaroi sot duket se Çipa nuk do të mbështesë kandidaten Floriana Kokën të propozuar nga deputeti Kokëdhima duke ia bërë shumë të vështirë asaj fitoren në një bashki ku duket qartë se balancën e bën më shumë kandidati se sa partia. /albeu.com/

Shtuar më 24/04/2015, ora 20:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori