KOMENT / ǒpo bëjnë Edi Rama dhe Lulzim Basha me aleancat politike?
- nga Dionis Xhafa

- Zgjedhjet lokale të 21 qershorit janë shumë pranë dhe dy polet politike më të fuqishme, PD nga njëra anë dhe PS-LSI nga ana tjetër po luftojë dhëmbë për dhëmbë për të fituar çdo bashki të mundshme. Për këtë qëllim të dyja partive kryesore iu vijnë në ndihmë aleancat me partitë më të vogla. Si Edi Rama, ashtu edhe Lulzim Basha po luajnë kartat politike të mundshme me qëllim fitimin e sa më shumë bashkive.

Edi Rama dhe koalicionet e tij

Kryeministri ka nisur të bëjë koalicion me parti edhe nga spektri i djathtë, së paku sipas ideologjisë që mbizotëron në Shqipëri. Ai ka mundur të afrojë pranë vetes FRD-në e Bamir Topit, PDIU-në e Shpëtim Idrizit dhe një parti të vogël të minoritetit maqedonas. Le ti shqyrtojmë me rradhë këta aleanca për të parë se çfarë mund të jetë në to e moralshme dhe jo e moralshme, dhe se çfarë përfitojnë partitë nga aleanca e re që kanë lidhur. Ajo ç’ka është për tu theksuar është se edhe reagimi nga publiku ka qenë thuajse i pandjeshëm, ndoshta për faktin se në këtë prag-zgjedhjesh priteshin aleancat. Së pari, aleanca me Bamir Topin është aleanca më e diskutueshme politike. Topi është një politikan i rritur në gjirin e së djathtës shqiptare dhe largimi i tij është ndër të tjera edhe një braktisje që i bëhet kësaj opozite që po i humb mbështetësit e saj. Bamir Topi, ndoshta i fyer edhe nga Sali Berisha për 21 janarin dhe i konsideruar si “bukëshkalë” apo fjalë të tjera si këto, që në dukje janë edhe fondamentaliste, ka vendosur të bëjë koalicion jo me atë parti ku iku nga një person, ish-kryeministër që e bëri edhe president. Atakimi i fortë me Berishën, sidomos për 21 janarin, bëri që Topi të kalojë në anën e Ramës. Ai u “kap mat” nga e djathta duke votuar Ramën për zgjedhjet e fundit për Bashkinë e Tiranës dhe përjashtimi që iu bë nga PD-ja, bëri që Topi të jetë sot në koalicion me Ramën dhe PS-në. Ishin retorikat tepër të ashpra politike me akuza nga më të fortat dhe një fjalor deri fondamental i Berishës që e largoi Topin. Bamir Topi për PD-në nuk kishte më asnjë vlerë. Ai llogaritej tek kjo parti si një e keqe që nuk duhej. Në këtë mënyrë Topi doli i pavarur dhe nga ky status, ku si duket nuk mundi të ketë rezultatet e duhura (gjë e cila u pa dhe në zgjedhjet e përgjithshme, ku Topi nuk doli dot as deputet) ai ka zgjedhur të bëjë koalicion me Ramën. Përfitimi i Ramës është se ka një parti më shumë në koalicion dhe një “tirons të vjetër”, e ndërkaq përfitimi i Topit mund të jetë se ai e fiton ndonjë bashki të mundshme në koalicionin e ri.

Koalicioni i dytë i lidhur është mes PS-së dhe PDIU-së, partisë së çamëve. Shpëtim Idrizi tha se hyn në koalicion me Ramën për patriotizëm. Por, se të marrësh në konsideratë se Idrizi u zgjodh në listat e koalicionit të PS-së më 2009 dhe më tej kaloi me Berishën vetëm se ai ishte në pushtet, e për më tepër u bë kundër Ramës, edhe pse PS-ja ngriti padi për çështjen e detit me Greqinë, është e vështirë të flasësh për një patriotizëm të pastër. Duket se më tepër PDIU lufton për disa poste dhe se PS-ja duket se është më e fuqishme tanimë dhe ka aleatë po ashtu të shumtë. Për Ramën, koalicioni me PDIU-në dhe me FRD-në është shenjë pozitive, për shkak se ai e rrit koalicionin me parti të vogla. Ramës mund ti duhen shumë aleatë, me qëllim që të fitojë zgjedhjet, për tiu treguar shqiptarëve se “Rilindja” po funksionin dhe se shqiptarët janë akoma optimistë. Duke qenë shumë partikoalicion me PS-në, zgjedhjet edhe mund të fitohen nga e majta dhe Rama me siguri që pas kësaj do të krijojë iluzionin sikur ëndrra e shqiptarëve për ndryshim nuk është venitur. Në fakt, Ramën mund ta nxjerrin fitues në zgjedhje vetëm numrat. Nëse vërtetë shqiptarët e kanë më besimin që kanë patur tek Rama, kjo do të shihet nga numri i votuesve.

Aleancat e Lulzim Bashës

Lulzim Basha ka më pak aleatë dhe opozita ka mbetur vetëm me disa parti në koalicionin e saj. Basha vetë e justifikon një fakt të tillë (që ka pak partikoalicion) me faktin se ai “nuk mban afër njerëzit e pamoraltë politikë”. Mirëpo, një fjalor i këtillë më shumë se i Bashës është i Berishës, i cili i ndan njerëzit “në të atyre” dhe “në të mitë”. Përveç kësaj, është mëse normale që opozita e dalë e humbur nga zgjedhjet e ka të vështirë që pa ofruar poste të ketë aleatë, përveç atyre që janë besnikë. E, që opozita është e dobët flet fakti se partitë që janë në koalicion me të kërkojnë të kenë kandidatë kryesorë në bashkitë më të mëdha të vendit, si në Shkodër, Durrës, Elbasan dhe në Lezhë. Republikanët dhe demokristianët që janë në koalicion me PD-në kanë pretendime për bashki të mëdha dhe kjo flet për atë se kërkesat e tyre meqenëse janë në koalicion janë tepër të mëdha. Në një mënyrë apo në një tjetër, ky është zhvlerësim ndaj Partisë Demokratike.

Fatkeqësisht, PD-ja nuk po sheh nga e ardhmja dhe nuk ka nisur një reformim të duhur politik. “Vrasja e babait” ndoshta nuk është në traditën e partive të djathta, por se Berisha në PD nuk mund të jetë më zëri kryesor. Ky akt politik duhet kryer që PD-ja të mund të shfaqet në skenë “e rrezikshme” kundrejt kundërshtarëve politikë, që janë sot në qeveri. “Katarsisi politik” në PD nuk është zhvilluar mjaftueshëm dhe Lulzim Basha ka parë edhe me kokën prapa në kohë. Edhe protestat që bën PD-ja, të cilat në ndonjë rast shfaqin disa të vërteta, nga ana tjetër lënë shumë për të dëshiruar. Këto protesta zhvillohen me disa banderola krejtësisht të zeza, duke e shfaqur realitetin krejtësisht të zi, që shpesh në protestë duket edhe disi hipokrizi. Realiteti nuk është i atillë, aq më tepër për këta njerëz që nuk kanë më shumë se dy vjet që kanë qenë në pushtet qendror. Gjithsesi, zgjedhjet janë përpara dhe rezultati asnjëherë nuk i dihet. Por, se Basha do ta ketë të vështirë në këto zgjedhje lokale.

Rast për tu shënuar, përçarje tek çamët?

Dashamir Tahiri i PDIU-së mori pjesë në protestën e PD-së, edhe pse partia ku ai bën pjesë bëri koalicion me PS-në. Ai sulmoi nga Vlora qeverinë Rama – Meta duke mos marrë në konsideratë realitetin e ri politik të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Tahiri madje bëri thirrje për bashkim me PD-në, duke i dalë kështu kundër Idrizit, i cili u bashkua me PS-në. Kjo tregon më së qarti se çamët kanë probleme brenda partisë, ndoshta edhe për shkak se nuk e kuptojnë realitetin, ku dje ishin me të djathtët dhe sot me të majtët apo nuk duan këtë realitet. Rasti i Dashamir Tahirit ishte një precedent, i cili duhet parë dhe në ditët në vijim për të vëzhguar sesi po shkojnë punët brenda partisë së çamëve. /albeu.com/

Shtuar më 05/04/2015, ora 02:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori