KOMENT/ Berishizimi i një fytyre që qeshte
Fill pas 21 janarit, Lulzim Basha, atëhere kandidat për Bashkinë e Tiranës do të bënte një fushatë model për nga niveli i qytetarisë. Qasje konstruktive, shpresë ndaj qytetarëve për një qytet më të mirë duke mos shfaqur asnjë shenjë tensioni në fytyrën e tij.

Ajo ishte barra e tij e parë në përballje me publikun dhe kundërshtarët politikë, të cilën zgjodhi ta tejkalonte nën petkun e një politikani evropian duke hequr dorë nga ajo që kishte mbjellë për 20 e kusur vite me radhë politika shqiptare gjatë fushatave për zgjedhjet.

Ishte Berisha ai që e trashte zërin për të gjithë, madje edhe për Bashën duke e lënë këtë të fundit të krijonte një profil tjetër politik në atë periudhë.

Aktualisht, edhe pse duket se gëzon ende pushtetin ekzekutiv në PD, Berisha është tërhequr disi duke ia lenë fushën Bashës, i cili ka pak muaj që ka hequr petkun e politikanit konstruktiv duke përçuar tension nëpërmjet fjalive të tij, të cilat bëjnë thirrje për protesta masive dhe akte mosbindje të qytetarëve ndaj qeverisë.

Krahas kësaj, i akuzuar se nuk po bëntë ndonjë opozitë kushedi se çfarë pas ikjes së Berishës, Basha ka përvetësuar muajt e fundit një fjalor mjaft agresiv duke mos stonuar më madje edhe në notat e larta të zërit siç ndodhte gjatë mitingjeve të disa muajve më parë.

Thonë se këto janë tregues të një pjekjeje politike të tij në opozitë dhe se opozita është vendi më i mirë i stazhit për një politikan. Çështja është se Bashës i dashur të sakrifikojë atë që ka ndërtuar deri më tani në profilin e tij politik. Askush nuk e mbante mend atë për një politikan konfliktual.

Tashmë, ai po i duhet të heqë dorë nga fytyra e qeshur me të cilën hyri në politikë duke përvetësuar fjalorin dhe qasjet e Berishës.

I detyruar ndoshta nga presioni për të bërë opozitë të fortë, Basha, një politikan i ri, ka rënë në grackën e përdorimit të metodave që ka përdorur Berisha gjatë këtyre dy dekadave që ka qenë aktor kryesore në skenën politike të vendit.

Në të njëjtën grackë ra edhe Rama gjatë fundit të vitit 2009 dhe gjithë vitit 2010. Ai gjithashtu u akuzua se nuk po bëntë një opozitë të fortë që të përballonte pushtetin e Berishës.

Protestat e opozitës gjatë asaj periudhe dhe ajo e 21 janarit krijuan një profil politikani tjetër të Ramës, ndryshe nga ai që ishim mësuar të shihnim gjatë përiudhës 2005-2009. Figurë nga e cila ai u detyrua të heqë dorë fill pas 21 janarit duke veshur një “kostum” të ri dhe duke përgatitur një profil tjetër, të gatshëm për të marrë pushtetin në 23 qershor 2013. /albeu.com/

Shtuar më 04/11/2015, ora 09:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori