KOMENT/ Berisha si “kumbar” i marrëveshjes Rama-Topi
Maxhoranca, me në krye Partinë Socialiste duket se do të hyjnë me një koalicion të zgjeruar në zgjedhjet lokale të 21 qershorit duke futur në të parti nga spektre të ndryshme politike. Pasi mori çamët e PDIU-së duke lidhur edhe një marrëveshje edhe për qeverinë qendrore, Rama do të firmosë sot me një parti tjetër të djathtë, FRD-në e Bamir Topit.

Në këtë mënyrë, koalicioni i majte laramanizohet edhe më tepër duke përfshirë parti që nga komunistët e Marko Dajtit e deri tek të djathtët e Bamir Topit.

Përveç marrëveshjeve nën tavolinë që bëhen kahas atyre sipër saj, pyetja që shtrohet është: Çfarë e lidh PS-në me FRD-në dhe Topin me Ramën politikisht?

FRD është një parti politike me program të djathtë, aq sa në shumë pika të tij kalon dhe vetë Partinë Demokratike në këtë drejtim. Madje, votuesit bazë të FRD-së siç janë disa lagje historike të Tiranës, kanë qasje të mirëfillta të djathta.

Po ashtu, shefi i saj, Bamir Topi është parë si një lider i djathë duke përfaqësuar politikisht por edhe kulturalisht një numër familjesh të vjetra të kryeqytetit. Me këtë kauzë, por edhe si “çun tirone”, Topi ka arritur të mërrë fitore deri në 60 % në kryeqytet kur kandidohej nga Partia Demokratike.

Maxhoranca e majtë është më pak e prekura nga ky koalicion. Duke patur një numër të madh votuesish, një aleancë me Topin do t’i prishte qejfin shumë pak syresh prej tyre, por vlen për t’u vlerësuar ndikimi negativ tek votuesit e FRD-së përfshirja në të njëjtin koalicion ku ka edhe komunistë të thekur.

Duke qenë se politikisht nuk i lidh asgjë, e vetmja pikë ku Rama dhe Topi bashkohen është Berisha. Topi është sulmuar nga Berisha shpesh herë më egër se vëtë Rama.

Bamir Topi nuk është parë asnjëherë si një aleat i mundshëm i PD-së në zgjedhje të përgjithshme apo ato lokale. Madje, PD ka treguar se është e gatshme të bëjë koalicion edhe me parti të majta tradicionale, por jo me Bamir Topin. PD nuk ka bërë asnjë përpjekje për të afruar Bamir Topin pranë saj për ndonjë koalicion të mundshëm.

Edhe Rama edhe Topi bashkohen tek Berisha. Nëse nuk ka ndonjë marrëveshje të fshehte midis tyre, duke analizuar nga ajo që është publike, duket se Berisha është edhe “kumbari” i marrëveshjes Rama-Topi. /albeu.com/
Shtuar më 03/04/2015, ora 10:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori