KOMENT/ Basti i dytë i rëndë i Berishës pas ‘97
Nga Albeu.com
Sali Berisha i ka hyrë një basti të rëndë. Ky, është ndoshta një bast edhe më i rëndë se ai kur sfidoi amerikanët për të ruajtur pushtetin personal pas degjenerimit të situatës me pushtetin policor të instaluar deri atëhere dhe sidomos pas vjedhjes së zgjedhjeve të 26 majit.

Por ky është një bast tjetër, të cilin Berisha do ta konsiderojë të fituar nëse në përfundim të gjithë këtij procesi do të arrijë të mbajë larg ndjekjeve penale veten e tij apo familjarët, siç është djali, Shkëlzen Berisha, të cilit aspak rastësisht po i qarkullon shpesh emri në Komisionin Hetimor për CEZ.

Për të fituar këtë bast, edhe më të rëndë se ai i vitit ’97, Berisha po luan në dy kahe.

Kahu i parë është ai i shantazhimit të qeverisë dhe ndërkombëtarëve me destabilitet në Shqipëri, ashtu siç ka bërë përherë kur është ndjerë ngushtë dhe kahu i dytë është tentativa për të minuar Reformën në Drejtësi duke dashur të shpëtojë ç’ka mund të shpëtojë nga sistemi që ndërtoi vetë me shumë kujdes për tetë vite, e cila do t’i garantojë atij paprekshmërinë ndaj vetes dhe djalit.

Jo më kot Lulzim Basha, i cili nuk mundi asnjëherë të dalë nga “çadra e Berishë” është duke thirrur për protesta masive në të gjithë vendin duke u kapur pas kauzës së votimit elektronik, protesta të cilat nëse përshkallëzohen mund të çojnë edhe në bojkot të zgjedhjeve nga e djathta, si një tentativë për të delegjitimuar sa të munden maxhorancën aktuale.

Me deklaratat e ditëve të fundit në media si edhe të sotme në Kuvend, deputetët demokratë janë duke bërë provat e asaj që synojnë të shkaktojnë në muajt në vijim: Një destabilitet politik të Shqipërisë në atë pikë, sa të harrohet Reforma në Drejtësi.

Se sa do të arrihet kjo mbetet për t’u matur gjatë protestës së lajmëruar të opozitës më datë 18 shkurt. Më shumë se sa një protest, ajo pritet të jetë një lakmus i sipërmarrjeve të ardhshme politike që do të marrë PD-ja nën udhëheqjen gjithnjë të Berishës.

Nga ana tjetër, duket të ketë një fushatë të pamundësimit të Reformës në Drejtësi për të qenë funksionale.

Shpërthimi i sotëm i ambasadorit Lu ndaj Kryeprokurorit Adriatik Llalla tregon edhe shkallën e refuzimit dhe tentativave të Berishës në mos për të penguar Reformën në Drejtësi, të paktën për të shpëtuar një pjesë të “investimit” në Sistemin e Drejtësisë gjatë tetë viteve të qeverisjes së tij.

Ndërkohë, amerikanët e shohin Reformën në Drejtësi si levizjen për të shpëtuar vendin nga të qënit nja “shtet i dështuar” në mes të një Ballkani gjithnjë edhe më pak të qetë përballë edhe strukturave të krimit të organizuar të sponsorizuara nga fuqi të tjera globale apo rajonale, të cilat kanë rrënjë deri në vendimarrje politike.

“Tërmeti” i sotëm pas akuzave të ndërsjella Lu-Llalla duket të jetë vetëm paradhoma e asaj që e pret vendin në muajt në vijim, ndërkohë mbetet për t’u parë nëse Berisha do të mund t’u imponohet sërish faktoëve lokal si edhe ndërkombëtarëve me kërcënimin e destabilitetit të vendit duke shpëtuar kësaj radhe jo më pushtetin si më ’97…
Shtuar më 02/02/2017, ora 17:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori