KOMENT/ A u tërhoq ambasadori amerikan pas veshit shurdh të partive?
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Donald Lu ishte mjaft i prerë gjatë ditës së hënë teksa i bëntë apel partive politike që të shmangnin kandidatët me të shkuar kriminale në zgjedhjet lokale.

Atë ditë, ai la të kuptohej se kishte ende emra me probleme në listat e partive duke lenë të kuptohej se duheshin marrë veprime konkrete për largimin e tyre.

Por, ambasadori Lu shfaqet me një gjuhë tjetër sot në një forum të organizuar nga ish-presidentët Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu. Sipas tij, nuk janë të huajt ata që do të garantojnë zgjedhjet në Shqipëri.

“Të hënën kam thënë shumë për zgjedhjet vendore në Shqipëri. Unë mendoj që është mjaft nga amerikanët për një javë. Të huajt nuk do të bëjnë këto zgjedhje të mirë, duhet të jetë shoqëria juaj civile, që do të sigurojë që demokracia shqiptare të jetë e mbrojtur”.

Kjo deklaratë është larg dy qendrimeve të mëparshme të ambasadorit Lu, ku në kuadër të dekriminalizimit të politikës shqiptare, ai kërkonte nga partitë politike që të kishin kujdes me emrat që kandidonin për bashkitë.

Nëse do të kishin marrë parasysh deklaratat e ambasadorit Lu, partitë politike do të duhej të ndryshonin ata kandidatë, për të cilët Ambasada Amerikane kishte sinjalizuar se ishin problematikë. Fakti që partitë politike nuk bën asnjë ndryshim pavarësisht paralajmërimeve tregon se ato nuk janë dakord me qendrimin e ambasadorit.

Deklarata e sotme vjen në një kohë kur kanë mbetur vetëm dy dytë nga përfundimi i afatit ligjor për të regjistruar kandidatët për bashki në KQZ. Nëse do të bëjnë ndryshime, partitë kanë kohë deri më datë 2 maj ora 24.00.

Gjatë ditës së djeshme, PD dhe PS publikuan listat e kandidatëve kundërshtarë që kanë probleme me ligjin sipas tyre duke paraprirë një publikimi të mundshëm të një liste të ngjashme nga Ambasada Amerikane, ashtu siç kishte paralajmëruar ambasadori Lu në fillim të këtij muaji. /albeu.com/
Shtuar më 29/04/2015, ora 22:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori