KOMENT/ 53 mijë votat e PDS-së vlejnë një zv.ministër dhe disa drejtorë
Partia Demokracia Sociale është një ndër partitë e cilësuara të vogla, por që ka një bazë të sigurtë votash pavarësisht nëse është në maxhorancë apo opozitës. Me sa duket kjo është edhe arsyeja që Kryeministri Rama e ftoi në koalicionin qeveritar.

Gjatë dy zgjedhjeve të fundit lokale, në 2007 dhe 2011, PDS ka marrë respektivisht 39 mijë dhe 53 mijë vota në rang vendi për këshilltarë të bashkive dhe komunave. Për shembull, gjatë zgjedhjeve të 2011-ës, PDS ishte e partia që mori më shumë vota për këshilltarë pas Partisë Socialiste në koalicionin e majtë duke lenë mbrapa edhe PSD-në e Gjinushit apo demokristianët e Nard Ndokës (Atëhere ishin në koalicion me të majtën).

Votuesit e PDS-së janë kryesisht në zonën e Vlorë dhe të bregut nga është edhe me origjinë vetë Paskal Milo. Ajo merr shumë vota gjithashtu edhe në Dibër dhe Tiranë.

Dy ditë më parë Paskal Milo vendosi të hyjë në koalicionin e madh të majtë duke pranuar ftesën e Kryeministrit Rama. Sipas kësaj marrëveshjeje, PDS ia ve në kandidatëve të së majtës, kryesisht PS-së dhe LSI-së bazën e votuesve midis 40 dhe 50 mijë votave në këmbim të një posti zëvendës ministri dhe disa drejtorish nëpër ministri dhe në rrethe.

Duke parë marrëveshjet që kanë arritur partitë e tjera, mund të thuhet se Milo e ka mbajtur shumë ulët stekën në këtë pazar me Partinë Socialiste nëse kemi parasysh numrin e votave që ka.

Më shumë u duk se Milo ishte i prirur për të hyrë medomos në një marrëveshje me socialistët se sa këta të fundit ia kishin nevojën. Nëse i referohemi statistikave të zgjedhjeve të shkuara, në të vërtetë PS-së i duhej medoemos PDS-ja në këto zgjedhje, sidomos në jug dhe me LSI-në me oreks të madh në krah. /albeu.com/
Shtuar më 22/04/2015, ora 19:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori