Armë dhe lëndë narkotike, arrestohen 2 të rinj në Fier, njëri kishte thyer masën e sigurisë

Policia ka arrestuar dy të rinj në Fier. Një 18-vjeçar që lëvizte me armë zjarri (pistoletë), me municion luftarak dhe me sasi lënde narkotike, të ndarë në doza dhe një 20-vjeçar i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe u kap me doza lënde narkotike me vete dhe duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Njoftimi i policisë

Sekuestrohen një armë zjarri (pistoletë), municion luftarak dhe sasi lënde narkotike kanabis, si rezultat i finalizimit të operacionit policor të koduar “Territori”.

Goditen 2 raste të veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.

Lëvizte me armë zjarri (pistoletë), me municion luftarak dhe me sasi lënde narkotike, të ndarë në doza, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 18-vjeçari.

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, arrestohet 20-vjeçari, i cili u kap në flagrancë, sërish me doza lënde narkotike me vete dhe duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Fier dhe Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, evidentuan dhe goditen 2 raste të veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, në kuadër të operacionit policor të koduar “Territori”.

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi O. L., 18 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri (pistoletë), municion luftarak dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje.

Gjithashtu, në kuadër të operacionit policor të koduar “Territori”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin:

-A. C., 20 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas u kap në lagjen “15 Tetori”, Fier, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit, 20-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza. Në vijim të verifikimeve, rezultoi se shtetasi A. C. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Fierit, po për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 10.11.2022 08:31