Ndryshon rezultati në Maqedoni, këtë raund e vështirë të zgjidhet presidenti (FOTO
Komandant Hoxha në aventurë personale
Albeu.com
Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK) nuk mbështet, por edhe nuk distancohet nga deklaratat e zëvendëskryetarit të kësaj partie, Xhezair Shaqiri i njohur si Komandant Hoxha.nga Bekim MURATI, Koha
Në këtë parti deklarojnë se thirrja për mobilizim dhe moslejimi i policisë të patrullojë në Tanushë është qëndrim personal i Shaqirit, e jo edhe i partisë.
"Kryesia qendrore e BDK-së, për shkak të pushimeve të anëtarëve të Kryesisë nuk ka arritur të tubohet dhe shqyrtojë deklaratat e zëvendëskryetarit, Xhezair Shaqiri", ka thënë zëdhënësja e BDK-së, Lirije Shabani, duke u përgjigjur para gazetarëve rreth prononcimeve të Hoxhës për mobilizim për mbrojtjen e Tanushës. Në këtë parti, edhe pse ende nuk kanë qëndrime zyrtare rreth deklaratave të tilla, thonë se kanë konsideratë ndaj kërkesave të banorëve të Tanushës, të cilët ballafaqohen me probleme të shumta.
"Banorët e Tanushës ballafaqohen me probleme të shumta, si nga sfera e infrastrukturës, ashtu edhe nga pajisja e tyre me dokumente identifikimi. Banorët e kësaj ana me vite të tëra nuk kanë as kushte elementare për jetë", thonë në BDK. Ndërkohë, të mërkurën për gjendjen në Tanushë janë deklaruar edhe dy partitë më të mëdha maqedonase - LSDM dhe VMRO-DPMNE. Nënkryetari i LSDM-së, Jani Makraduli ka thënë se situata e tanishme po i ngjan asaj të vitit 2001 dhe se policia nuk po kryen punën e vet për marrjen nën kontroll të Tanushës.
"Situata në Tanushë është brengosëse. Kemi deklarata shumë të rrezikshme, pasi banorët që jetojnë në atë pjesë nuk i vërejnë përfaqësuesit e forcave të sigurisë. Ministria e Punëve të Brendshme duhet të sqarojë se a e ka nën kontroll mbarë Republikën e Maqedonisë", ka thënë Makraduli. Ndërkaq, zyrtarë të VMRO-DPMNE-së deklarojnë tone qetësuese, duke paralajmëruar kështu se nuk ekziston asnjë rrezik për vendin, sidomos nga Tanusha.
"Gjendja e sigurisë është stabile. Policia e Maqedonisë kontrollon mbarë territorin e vendit dhe situata është nën kontroll. Prandaj nuk ka nevojë për shqetësime", ka thënë koordinatorja e VMRO-së, Silvana Boneva. Kërcënimet e fundit të Xhezair Shaqirit për shkallëzimin e gjendjes së sigurisë nuk janë komentuar nga dy partitë shqiptare PDSH dhe BDI.
Shtuar më 30/08/2007, ora 15:36
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori