Kolonel Demiraj sfidon Ramën: Asnjë polic të mos guxojë!
Një ditë më parë, kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi se çdo punonjës i administratës apo i policisë ka të drejt që të ketë angazhim politik pas orarit zyrtar të punës.

Madje, ai i kërkoi këtyre të fundit që të kërkojnë vota për PS-në pas orarit zyrtar të punës.

Kaq ka mjaftuar që ndaj tij të nisë një furtunë publike, ndërkohë që më i ashpër ishte reagimi i ministrin të Brendshëm, Kolonel Dritan Demirajt.

Ai i kërkoi çdo punonjësi që të mos angazhohet në fushatë duke i rikujtuar edhe masat ndëshkimore.

Reagimi i Demirajt
Kam një mesazh të qartë për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që të mos ketë asnjë moment dyshimi se çdo përfshirje e tyre në aktivitete të partive politike do të ndëshkohet rreptësisht sipas përcaktimeve të ligjit.

Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë marrë të gjithë trajnimin e nevojshëm ligjor për të kuptuar detyrimet dhe kufizimet që ata kanë në një process zgjedhor.

Ligji për Policinë e Shtetit Nr.108, 2014, Kreu i 11-të, detyrimet dhe kufizimet kryesore të punonjësit të Policisë, Neni 90-të i tij, përcakton qartësisht kufizimet në jetën politikepunonjësit të policisë të cilit i ndalohet:
a) të jetë anëtar i një partie ose organizate politike
b) të mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.

Kodi Zgjedhor dhe udhëzimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numër 7, viti 2009 i ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 473, datë 01.06.2017, përcaktojnë qartësisht këto kufizime ligjore.

Dua t’ju rikujtoj se Kodi Penal, i ndryshuar më 22 Maj 2017, në nenin 332 a parasheh se: “Shpërdorimi i autoritetit policor nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose i Policisë së Burgjeve për të influencuar në mbështetjen e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, nëpërmjet mosushtrimit të funksionit me paanësi sipas ligjit, pjesëmarrjes në veprimtari politike të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, me kryerjen e çdo veprimi ose dhënien e urdhrave, këshillave apo çdo lloji tjetër propagande që favorizon një parti politike ose kandidat në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.”

Më lejoni tju bëj me dije se Policia e Shtetit është në monitorim të rreptë prandaj i ftoj të gjithë punonjësit e saj që të respektojnë çdo gërmë të ligjit përndryshe masat do të jenë proporcionale me shkeljet e kryera.
Shtuar më 17/06/2017, ora 08:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori