Kole Berisha terhiqet nga funksionet ne LDK
Albeu.com
Një ndër figurat kryesore të LDK-së pas luftës në Kosovë, Kolë Berisha, është tërhequr nga të gjitha funksionet në këtë parti. Në vendimin për tërheqjen nga postet e nënkryetarit dhe anëtarit të Kryesisë së LDK-së, ish-kryetari i ...... Kuvendit të Kosovës, ka publikuar arsyet e kësaj tërheqjeje, duke potencuar se këtë vendim e ka marrë për shkaqe personale, si dhe për t’u hapur rrugë forcave të reja.

Berisha ka thënë se këtë vendim e ka marrë pas konsultimeve me miqtë dhe në veçanti me kryetarin, Fatmir Sejdiu. “Duke filluar nga sot (7 korrik 2010), tërhiqem nga posti i nënkryetarit dhe i anëtarit të Kryesisë së LDK-së.

Mbetem edhe më tutje anëtar i denjë, besnik, i LDK-së dhe deputet i saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i gatshëm, që në çdo kohë, kurdo që e kërkon nevoja, të jap

kontributin tim modest, por, tani e tutje vetëm si anëtar i rëndomtë dhe deputet. Tërheqjen nga postet e cituara e bëj për shkaqe personale, si dhe për t’u hapur rrugë forcave të reja.
Çdo përpjekje, e kujtdo qoftë, për t`i dhënë karakter tjetër këtij akti personal, do të konsiderohet si spekulim me qëllime të caktuara ndaj meje dhe ndaj LDK-së”, ka thënë Berisha në vendimin e tij.

Më tutje, ai ndër të tjera ka bërë një rikapitullim të angazhimeve të tij në LDK dhe në institucionet e Kosovës, duke veçuar punën me ish-presidentin Rugova.

Berisha ka shprehur bindjen se përkundër goditjeve që pati LDK-ja kohët e fundit, ajo vazhdon të mbetet forca më e organizuar politike në Kosovë.

“Por, asaj i duhet një freskim, i duhet një frymë e re, një kreativitet, një ristrukturim në të gjitha nivelet e organizimit të saj, gjë që edhe ka filluar”, ka thënë Berisha. (zeri)
Shtuar më 08/07/2010, ora 10:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori