Kokë dhie e prerë para banesës, kërcënohet gazetari Telnis Skuqi
Pëlqej
Pas denoncimit të Partisë Demokratike kërcënohet sërisht gazetari i RD-së Telnis Skuqi në qytetin e Gjirokastrës. Sipas informacioneve të fundit gazetarit i është vendosur një kokë dhie e prerë në banesë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se gazetari nuk ka qenë në shtëpi në momentin që është vendosur koka e dhisë.

Paraditen e sotme zëdhënësja e Partisë Demokratike Silvi Bardhi denoncoi kërcënimin që i ishte bërë gazetarit Skuqi me sms. Sipas saj, kërcënimi kishte ndodhur pasi gazetari kishte botuar një shkrim investigativ për çështjen e përfshirjes së Forcave të Armatosura në trafikun e drogës.

"Publikimi i këtyre të dhënave mesa duket ka prishur qetësinë e personave të përfshirë në këtë trafik të çmendur droge dhe ka prishur rehatinë e shefave politikë të narkotrafikantëve. "Si shumë të lirë e ke dorën, por ta skuqim mir ne, legen", këtë mesazh i kanë dërguar gazetarit sot në orën 9 e 8 minuta të mëngjesit. Kërcënuesi ka bërë kujdes të mos lërë gjurmë, duke përdorur metodat e dërgimit të mesazhit përmes internetit.

Partia Demokratike dënon shantazhin ndaj shtypit opozitar dhe i kërkon qeverisë dhe Kryeministrit të marrë masa.
Partia Demokratike inkurajon gazetarët dhe median në rolin e tyre informues dhe qëndron pranë tyre në këto ditë të vështira ku dalin të dhëna se struktura kyçe të shtetit janë përfshirë në trafikun e drogës. Vetë trafiku i drogës në këto përmasa, por dhe kërcënimi i gazetarëve që shkruajnë për të, nuk mund të bëhen pa dijeni dhe pa bekimin e Kryeministrit dhe ministrave të tij", u shpreh Bardhi. /albeu.com/
Shtuar më 19/04/2014, ora 15:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori