Neymar zyrtarisht lojtar i Al-Hilal, braziliani “vishet me ar” për dy vjet

Futbollisti brazilian Neymar është zyrtarisht lojtari i ri i Al-Hilal saudit, njoftoi klubi në rrjetet sociale.

Negociatat që nisën gjatë fundjavës përfunduan sot dhe braziliani nënshkroi një kontratë dyvjeçare. Ai do të veshë fanellën me numrin 10 në klubin e tij të ri.

PSG do të marrë 80 milionë euro për këtë transferim, së bashku me bonuse të caktuara, shkruan “Marka”, e cila thekson se Neymar do të fitojë 200 milionë euro në vit. Dhe, kur të shtohen kontratat nga reklamat dhe sponsorët, të ardhurat vjetore mund të arrijnë në 350 milionë.

Nga ana tjetër, francezja L’Equipe shkruan se vlera e kontratës dyvjeçare është 160 milionë euro.

Pas gjashtë vitesh, braziliani largohet nga PSG, ku mbërriti në vitin 2017 nga Barcelona për 222 milionë euro.

PSG me Neymar nuk arriti të fitojë Ligën e Kampionëve pavarësisht se në skuadër ishin edhe Messi dhe Mbappe.

Neymar luajti 173 ndeshje për PSG-në, duke shënuar 118 gola dhe duke regjistruar 77 asiste.


Shtuar 15.08.2023 19:02

Tags: