VV ka shpresë për një koalicion me LDK: Do të krijojmë qeverinë e re sa më parë

Lëvizja Vetëvendosje duket se është e vendosur për të arritur marrëveshjen me LDK. Në një njoftim për mediat, partia e Albin Kurtit u shpreh e gatshme për të vijuar diskutimet, me qëllim që qeveria e re në Kosovë të krijohet sa më parë.

“Pavarësisht që ne nuk arritëm të dakordoheshim me LDK për koalicionin qeverisës para seancës konstituive të Kuvendit ne sërish ditëve në vijim do të përpiqemi me konstruktivitet të arrijmë një marrëveshje dhe qeveria e re me program të harmonizuar mes dy subjekteve tona të fillojë punën sa më parë.

Kuvendi ka zgjedhur kryesinë e saj me në krye me deputetin Konjufca, ndërkaq tash presim që edhe ekzekutivi të konsolidohet sa më parë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kujtojmë që Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi pritet të kenë një takim mes tyre në datën 6 janar, ndërsa Isa Mustafa në orët e para të mëngjesit të së hënës do të mbledhë Kryesinë dhe pas drekës do të thërrasë edhe grupin parlamentar.


Shtuar 2.01.2020 20:26