Kodim dhe programim që në gjimnaz, ALBtelecom mbështet nismën
Interesi për kodimin dhe programimin tashmë nis që në shkollë të mesme.

Ky është realiteti befasues i talenteve te reja që doli më së miri në pah në konkurrimin më të fundit “Këndi i programuesve të rinj”, të organizuar nga Departamenti i Informatikës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës, me nxënësit më të talentuar në fushën e teknologjisë së informacionit të shkollave të mesme të Tiranës.

Përgatitja e të rinjve për një të ardhme digjitale ishte qëllimi kryesor i konkursit.

Falë teknologjisë, nxënës të 14 gjimnazeve morën pjesë në konkurs, duke kryer zhvillime nga shtëpitë e tyre.

Kohëzgjatja e aplikimit përmes platformës "Young Programmers Space" ishte mes datave 20 Prill dhe 12 Maj 2018, në formën e një konkursi midis nxënësve të shkollave të mesme. Qëllimi kryesor i këtij konkurrimi është ofrimi i mundësive për nxënësit e shkollave të mesme të testojnë aftësitë e tyre në gjuhë të ndryshme të programimit.

Nxënësit gjithashtu krijojnë një qasje më konkrete ndaj universitetit dhe kuptojnë më mirë degët që mund të ndjekin në të ardhmen.

Çmimin ALBtelecom, që ishte edhe çmimi i parë i këtij konkursi e fitoi Luis Alban Ziko, nxënës i vitit të katërt, të shkollës së mesme “Harry Fultz”, i cili fitoi një vit internet falas dhe shërbim ALBtv në shtëpinë e tij, ofruar nga kjo kompani.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Drejtuesi i Departamentin të Informatikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, z. Endri Xhina pasi falënderoi ALBtelecom tashmë një mbështetës i vazhdueshëm i aktiviteteve inovatore të organizuara nga fakulteti, nënvizoi se në këtë vit të dytë të zhvillimit të konkursit, niveli i performancës së të rinjve në krahasim me vitin e kaluar ka ardhur në rritje, dhe se këtë radhë nuk kanë marrë pjesë vetëm gjimnazistë të vitit të fundit, por nga të gjithë vitet, fakt që flet qartë për pasionin e të rinjve drejt fushës së programimit.

Z. Xhina e vlerësoi këtë platformë konkurrimi si një mundësi për gjimnazistët për të kuptuar dhe njohur më mirë fushën e studimit që do të ndjekin pas përfundimit të shkollës së mesme.

Drejtoresha e Çështjeve të Korporatës, znj. Jonilda Filipi tha në fjalën e saj se ALBtelecom ka në filozofinë e vet mbështetjen dhe fuqizimin e pandërprerë të talenteve në fushën e IT-së dhe jo vetëm, duke e parë këtë si një pikënisje të karrierave të suksesshme të talenteve të reja, që do të ndikojnë në rritjen e inovacionit dhe avancimin e mëtejshëm të digjitalizimit të vendit.

Nxënësit aplikuan përmes platformës "Young Programmers Space", e cila është një platformë e aksesueshme online ku ofrohet shkrimi i programeve në gjuhë të ndryshme programimi. Platforma mundëson kontrollin e programeve në kohë reale.
Shtuar më 14/05/2018, ora 15:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori