Kodheli në Slloveni, merr pjesë në Ministerialin Gjithëpërfshirës të Rajonit
Pëlqej
Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli nga dita e djeshme ndodhet në Brdo, Kranj, të Sllovenisë, për të marrë pjesë në Ministerialin Gjithëpërfshirës të Rajonit 2013.


Në ditën e parë, ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, zhvilloi një takim dypalësh me ndihmësasistenten e sekretarit të Mbrojtjes të SHBA, znj. Evelyn Farkas.

Ndihmësasistentja e sekretarit të Mbrojtjes të SHBA, znj. Farkas ka uruar znj. Kodheli për detyrën e re si ministre e Mbrojtjes, ndërsa ministrja Kodheli vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria shqiptare e konsideron SHBA si partnerin kryesor strategjik si në politikën e jashtme ashtu dhe në bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes.

Ministrja Kodheli ka cilësuar mbështetjen e vazhdueshme që SHBA ka dhënë në procesin e reformimit dhe transformimit të Forcave të Armatosura shqiptare duke i ndihmuar këto të fundit të arrijnë standardet e NATO në kapacitetet e mbrojtjes dhe modernizimin ushtarak.


Nga ana saj, znj. Farkas u ndal veçanërisht në disa çështje që kërkojnë rritjen e nivelit të bashkëpunimit në të ardhmen, duke përmendur këtu bashkëpunimin në fushën e inteligjencës, trajnimit dhe kualifikimit të personelit të Forcave të Armatosura me synim rritjen e standardit profesional të ushtarakëve. Gjithashtu ajo theksoi se fenomeni i korrupsionit dhe lufta ndaj tij mbetet një nga fushat që kërkon prioritet dhe për Ministrinë e Mbrojtjes.


Gjithashtu, ministrja e Mbrojtjes Kodheli zhvilloi një takim edhe me ministrin e Mbrojtjes të Sllovenisë, z. Roman Jakič. Në këtë takim, z. Jakič e ka uruar znj. Kodheli për detyrën e re si ministre e Mbrojtjes, ndërsa ministrja Kodheli e përgëzoi pikë së pari për iniciativën e ndërmarrë nga Ministria e Mbrojtjes së Sllovenisë për të organizuar për herë të parë një Ministerial Gjithëpërfshirës të Rajonit, duke mbledhur të gjithë ministrat e Mbrojtjes së Europës Juglindore dhe më tej në dy ministeriale me tematika të ndryshme në të njëjtin kohë dhe vend, duke theksuar më tej se edhe vendet e tjera të vazhdojnë këtë nismë të Sllovenisë. Ministrja Kodheli vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis Republikës së Shqipërisë dhe Sllovenisë.


Të dy ministrat e Mbrojtjes ranë dakord për rritjen e bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes, më konkretisht, bashkëpunimin në përballimin e emergjencave civile, duke marrë pjesë në organizimin e stërvitjeve të përbashkëta, trajnime dhe shkëmbim eksperience në kuadër të stërvitjeve malore. Gjatë takimit nga ana e dy ministrave u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona në kuadër të iniciativave rajonale ku Shqipëria dhe Sllovenia bëjnë pjesë, siç janë SEDM dhe A-5.
Shtuar më 02/10/2013, ora 16:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori