Kodheli: NATO t'i "tregojë vendin" Serbisë! Ballkani do paqe, jo kërcënime!
“Aleanca Euroatlantike e NATO-s duhet t’i dërgojë mesazhe të qarta Serbisë.”

Më këto fjalë, Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli u është drejtuar homologëve të vendeve anëtare të NATO-s në Ministerialin të Mbrojtjes që po zhvillohet në selinë e NATO-s, Bruksel. Në këtë Ministerial, u vendos në qendër të vëmendjes, siguria e vendeve, ku aleatët u fokusuan në elementët e frenimit të rreziqeve.

Në këtë kuadër, Ministrja Kodheli kërkoi më shumë mesazhe të qarta për Serbinë, si vend partner i NATO-s dhe inkurajoi më shumë bashkëpunim të Aleancës me BE-në, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas Kodhelit, NATO duhet të vijojë të mbetet e angazhuar në Ballkanin Perëndimor, duke dërguar mesazhe të qarta dhe siguruese ndaj Serbisë, duke i bërë të ditur kështu vullnetin e Aleancës për mbajtjen e paqes dhe sigurisë.

“Misioni KFOR-it, si një histori suksesi, nuk mund dhe duhet të vendoset në udhëkryq, si rrjedhojë e kësaj situate. Ndaj nevojitet një fokus i dedikuar që ky mision të vijojë të mbetet shtylla e sigurisë për stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.” theksoi ndër të tjera Kodheli

Në ditën e dytë të Ministerialit të NATO-s, ministrat e Mbrojtjes pritet të diskutojnë mbi disa elementë të tjerë, në përmbushje të mbrojtjes dhe frenimit të rreziqeve, siç është rishikimi i strukturës komanduese të NATO-s, implementimi i masave në kuadër të Planit të Gatishmërisë për Veprim, Forcës së Përparuar të NATO-s, mbrojtja kibernetike./Albeu.com/
Shtuar më 15/02/2017, ora 19:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori