Koço Danaj: Janina dhe Çamëria do t’i kthehen Shqipërisë, shovinistët grekë demonstrime frike në kufi
Ideatori i Platformës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, gjatë një interviste për gazetën SOT, ka kompletuar raportet e tensionuara me Greqinë dhe situatën në Ballkan.

Danaj pohoi se Greqia është në prag të falimentimit, duke shtuar se Athina po përdor problemet me Shqipërinë, me qëllim për të zhvendosur krizën e brendshme jashtë kufijve. Danaj e konsideroi ministrin e Mbrojtjes greke si pjesë e politikës shoviniste greke ndaj Shqipërisë, ndërsa shtoi se Greqia nuk ka para për të mbajtur ushtrinë në këmbë.

Danaj ka pohuar se Çamëria dhe Janina janë territore shqiptare, ndërsa shprehu bindjen se në kohën e duhur do t’i kthehen Shqipërisë. Sa i takon realizimit të Platformës së Shqipërisë Natyrale, Danaj tha se politikanët shqiptarë duhet të shfrytëzojnë mbështetjen e SHBA, Gjermanisë dhe Anglisë, për rikthyer Shqipërinë në kufijtë e saj natyralë, para vitit 1913. Danaj ka pohuar se ky projekt do të nisë me vizitën e Angela Merkel në Tiranë.

Z. Danaj, muajt e fundit marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës kanë pësuar disa lëkundje, ku nuk kanë munguar provokimet, deklaratat paralajmëruese, anulimi i vizitave etj. Çfarë po ndodh mes dy vendeve, ka ndonjë ndryshim të politikave të Athinës apo kemi një çlirim të Shqipërisë nga kompleksi i inferioritetit dhe ridimensionim të rolit të saj në rajon?

Unë mendoj se janë që të dyja. Ka një “çlirim” në kuptimin figurativ nga ana e Shqipërisë, sepse nuk ka qenë ndonjëherë e robëruar politika e Tiranës nga ajo e Athinës zyrtare, por ka pasur një lloj ndrojtjeje. Kjo tashmë ka kaluar.

Ky çlirim filloi me marrëveshjen e detit dhe po vazhdon me probleme e me raporte të tjera në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, ku më kryesorja nga këto është çështja e gjenocidit grek mbi Çamërinë. Natyrisht, kjo nuk është pritur mirë në Athinë. Imagjinoni një vend që është në prag të falimentimit; puna e parë që do bëjë, do eksportojë krizën e tij diku gjetkë.

Shqipëria është më afër dhe Greqia përdor alibinë e detit për të bërë një demonstrim force me anë të një ultranacionalisti siç është ministri i Mbrojtjes, Kamenosi, i cili doli në kufijtë me Shqipërinë me uniformë ushtarake a thua se po bëhej gati për luftë, duke harruar që Shqipëria dhe Greqia janë vende të NATO-s, traktati i së cilës nuk i lejon të bëjnë as çerekun e atyre që deklaroi Kamenosi.

Megjithëse duket si një tension mes marrëdhënieve mes dy vendeve, kjo duket që do t’i bëjë mirë Greqisë, pasi do fillojë pak nga pak ta çlirojë apo ta çmontojë politikën shoviniste greke ndaj Shqipërisë.

Greqia ka vendosur të shtojë prezencën e ushtrisë në kufi me Shqipërinë, ndërsa ministri i Mbrojtjes së Greqisë, ka deklaruar se nuk lëshon asnjë centimetër tokë dhe det. Si i lexoni ju këto lëvizje?

Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, duket që është totalisht injorant në fushën e historisë. Kjo shprehje që thotë ai, do t’i shkonte po ta thoshte ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë. Do i thoshin që ti ke të drejtë se matanë kufirit shtetëror gjenden mijëra kilometra katrorë tokë shqiptare, siç është Çamëria.

Do i thoshin që, ti ke akoma mijëra kilometra katrorë det që është i Shqipërisë, por që e ka marrë Greqia pabesisht dhe padrejtësisht, por do ta këshillonin të kishte kujdes në kuadrin e integrimeve. Në gojën e Kamenosit, këto tingëllojnë thjesht kërcënime boshe, duke mos ditur ç’të bëjë në vendin e tij. Duke mos pasur euro për të paguar shtetasit e tij, atëherë del në kufi dhe thotë do shtoj prezencën ushtarake!

Ai s’ka euro të paguajë atë ushtri që ka, jo të shtojë prezencën ushtarake në kufi me Shqipërinë. Gjithsesi, kjo është për konsum brenda në Greqi, nuk është për konsum përballë Shqipërisë. Edhe në vitin 1967, një tjetër Kamenos, por me emër tjetër, kështu deklaroi. Megjithatë, edhe ai pas 24 orëve u tërhoq dhe nuk foli më.

Problemi është i tillë që, duket se është momenti për të folur hapur për problemet që ekzistojnë në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Duhet që politika shqiptare, jo të marrë rolin e Kamenosit, por me shumë qetësi dhe me shumë fakte dhe argumente, të artikulojë edhe një herë, edhe për opinionin publik, të gjitha ato që ka për të rregulluar Greqia ndaj Shqipërisë.

E para, të artikulojë që Greqia ende po mban ligjin e luftës për Shqipërinë. Domethënë që Kamenosi akoma e ka në sirtarin e tij ligjin e luftës të 1940. E dyta, duhet të artikulojë njohjen dhe pranimin nga ana e Greqisë të gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

E treta, duhet të artikulojë me qetësi, që akoma Ministria e Jashtme greke ka në sirtarët e saj doktrinën e Megali Idesë të para 160 vjetëve. Duke artikuluar këto të vërteta historike, atëherë gjykoj se do ta ngrejë nivelin e marrëdhënieve me Greqinë në një shkallë më të lartë, sepse marrëdhënie të mira nuk do të thotë nënshtrim, por do të thotë zgjidhje e problemeve me dialog.

Duket që edhe BE dhe SHBA kanë vendosur që në Ballkan problemet të zgjidhen me forcën e së drejtës dhe jo me të drejtën e forcës! Atëherë, ky është momenti më i përshtatshëm për Tiranën zyrtare, që ta ketë të plotë se cilat janë problematikat e Shqipërisë me Greqinë. Çfarë duhet të njohë Greqia, le t’i bëjë prezente me shumë qetësi, por natyrisht me qetësi, që do të thotë vendosmëri.

Cilët territore i ka marrë realisht Greqia, Shqipërisë?

Po t’i referohemi aktit juridik të 1912, është e gjithë krahina e Çamërisë dhe të gjitha zonat kufitare, që nga Korça e deri në Janinë. Këto tashmë dihen që janë territore shqiptare të mbushura me popullsi greke, në kuadër të depërtimit të egër në radhë të parë dhe masakrues që ju bë popullit shqiptar në këto troje.

E kjo duhet thënë shumë hapur që: Jeni ju që më keni marrë mijëra kilometra territore shqiptare dhe jemi ne shqiptarët që pavarësisht nga një konjukturë, pavarësisht nga një klimë, pavarësisht nga ndonjë direktivë që na vjen, pavarësisht se kush qeveri greke vjen që nga ekstremisti i djathtë e deri te ekstremi i majtë, apo një amalgamë siç janë këta të sotmit, një grumbull politikanësh të ekstremit të djathtë si Panos Kamenos e deri te trockistët dhe anarkistët e tipit Alexis Tcipras, ne nuk do ju lëshojmë juve asnjë centimetër territor shqiptar, asnjë centimetër det shqiptar.

Në momentin dhe në kohën e duhur, ato do ia rikthejmë Shqipërisë për të realizuar atë që është e drejta jonë historike dhe reale, Shqipërinë në kufijtë e saj natyror. Sot, duket që edhe bashkësia ndërkombëtare është në favor të Shqipërisë. Atëherë, Shqipëria dhe qeveria e saj duhet të luajnë më mirë rolin e tyre përballë Greqisë.

A i druheni influencës së shtuar ruse në Ballkan?

Unë nuk i druhem fare influencës së shtuar ruse në Ballkan. Në vitin 1960, Shqipëria ishte ajo që duke qenë e vetme, ndoqi sovjetikët duke mbyllur përfundimisht bazën më të fuqishme në Mesdhe, siç ishte baza ushtarake-detare e Vlorës.

Ishte Shqipëria që në vitin 1968 ndërmori një veprim tepër historik, për të cilin duhet të jetë krenar çdo shqiptar pavarësisht se çfarë mund të ketë me qeverinë e atëhershme. Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës në një kohë kur të gjithë të tjerët dridheshin.

Për më tepër, sot kur shqiptarët kanë një aleat strategjik, i cili zuri fill dhe u ngjiz fort qysh në vitin 1999, kur ish-Presidenti Clinton urdhëroi bombardimin e Beogradit. Në këto kushte, kur shqiptarët e kanë një aleat strategjik nuk i druhem asnjë influence ruse në Shqipëri. Natyrisht, në Ballkan rusët bëjnë politikën e tyre. Kanë influencë në Maqedoni në Serbi dhe në Mal të Zi. Kjo personalisht nuk më tremb nëse unë di ta hartoj mirë politikën time strategjike kombëtare të mbrojtjes në kuadër të Aleancës Atlantike.

Keni parashikuar që në 2015 do të realizohej Platforma e Shqipërisë Natyrale. Çfarë po ndodh me këtë platformë?

SHBA, Gjermani dhe Britania e Madhe, duket që do ndërmarrin hapa të reja në Ballkan. Duket se këto hapa do të favorizojnë më shumë shqiptarët.

Politikanët shqiptarë duhet të luajnë rolin e tyre që të tregohen përpara SHBA, Gjermanisë dhe SHBA tamam partnerë dhe ta shfrytëzojnë këtë mbështetje për të realizuar Shqipërinë në kufijtë e saj natyror. Këtu çështja shtrohet: bashkim klasik apo jo klasik. Presionet për mua nuk kanë rëndësi, për mua rëndësi ka bashkimi, quaje klasik apo jo klasik.

Askush nuk është aq naiv që të besojë që në shekullin e 21 veprohet me metoda reformash si të fillim shekullit të 20. Gjithkush është i ndërgjegjshëm dhe i bindur se, pavarësisht se jemi në fillim të shekullit të 21 apo në fillim të shekullit të 20, thelbi mbetet po ai. Ka ngelur një problem pa u zgjidhur: Shqipëria në kufijtë e saj natyrorë. Kjo lëvizje politike dhe diplomatike do fillojë me vizitën e zonjës Merkel në Tiranë, në Beograd dhe në Sarajevë.

Disa ditë më parë në Kosovë u fol për ëndrrat e Isa Boletinit. A janë realizuar ëndrrat e tij?

Isa Boletini, Ismail Qemali, Don Nikoll Kaçori, Luigj Gurakuqi, Vehbi Agolli, etj.., shpallën pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj natyror në 28 nëntor 1912. Ëndrrat e atyre të tjerëve ata i bënë realitet.

Nuk u lejua që kjo pavarësi të bëhej realitet, por më e keqja, mbledhja e Londrës vendosi të kundërtën dhe i trajtoi trojet shqiptare si plaçkë lufte, duke kënaqur Malin e Zi edhe Serbinë. Sot është ogur i mbarë që rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit bëhet në këtë prag ringjallje të atij realiteti që e shpallën në 28 nëntor 1912.

Si i parashikoni raportet me Serbinë pas vizitës së Vuçiç?

Normale. Duhet theksuar se Vuçiç di pak më shumë ose u tregua i guximshëm lidhur me çka thamë deri më tani. Vuçiç jo rastësisht e lëshoi tezën para se të vinte në Shqipëri, që marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë kyçi i stabilitetit të Ballkanit.

Marrëdhënie shqiptaro-serbe do të thotë marrëdhënie që nga Preshevë deri në Prevezë, që nga Durrësi në Shkup. Vuçiç e di shumë mirë që faktori kryesor i paqes në Ballkan janë shqiptarët e bashkuar si shteti i 28 nëntorit 1912.

A i merrni seriozisht kërcënimet e ISIS për Ballkanin?

Çdo kërcënim duhet analizuar seriozisht. Kërcënimet e ISIS nuk i marr seriozisht. Atyre deklaratave më shumë rëndësi iu dha media, sesa ishin kërcënime ndaj Shqipërisë dhe ndaj Ballkanit. Nuk ka asnjë kërcënim. Në Ballkan nuk ka asnjë problem. Kërcënimi serioz në Ballkan është sot shovinizmi maqedonas, grek, serb dhe malazez. Nuk ka asnjë kërcënim tjetër për paqe në Ballkan.

Kur të eliminohen këto katër shovinizmi, të jeni të sigurt se Ballkani do të ketë një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë. Dhe kur do eliminohen këta katër shovinizma? Këto katër shovinizma që e prishin dhe e destabilizojnë këtë paqe në Ballkan, do eliminohen vetëm atëherë kur shqiptarët të bashkohen në një shtet. /albeu.com/
Shtuar më 14/06/2015, ora 19:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori