Policia arreston shoferin që shkaktoi aksidentin me dy viktima te “21 Dhjetori”

Policia arreston shoferin që shkaktoi aksidentin tragjik te “21 Dhjetori”

Policia ka arrestuar Emirjan Dokon, shoferin 30-vjeçar që shkaktoi aksidentin me dy viktima te kryqëzimi i “21 Dhjetori” në Tiranë.

Kujtojmë se aksidenti ndodhi sot në orët e para të mëngjesit, ku mjeti “Citroen” i Dokos u fut me shpejtësi skëterrë në semafor të kuq dhe u përplas me makinën “Honda” të Luan Cenollarit. Ky i fundit humbi jetën së bashku me pasagjerin që ndodhej në mjetin e tij.

Nga aksidenti ka mbetur lënduar rëndë edhe Doko, i cili tashmë është arrestuar për aksidentin. Gjatë kontrollit në makinë i është gjetur një pushkë, ndërsa gjatë kontrollit fizik i është gjetur një thikë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në përfundim të veprimeve për aksidentin e ndodhur mëngjesin e sotëm, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. D., 30 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugore’’, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ky shtetas, më datë 11.11.2021, rreth orës 03:20, në kryqëzimin “21 Dhjetori”, duke drejtuar mjetin “Citroen” është përfshirë në një aksident me mjetin “Honda” me drejtues shtetasin L. C., 58 vjeç. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë në vendngjarje pasagjeri në mjetin “Honda”, shtetasi A. B., 59 vjeç, ndërsa drejtuesi, shtetasi L. C. ka ndërruar jetë në spital. Drejtuesi i mjetit “Citroen”, shtetasi E. D., ndodhet në spital, në gjendje të rëndë.

Gjatë kontrollit të mjetit që drejtonte shtetasi E. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pushkë, ndërsa gjatë kontrollit fizik këtij shtetasi iu një armë e ftohtë (thikë)”, thuhet në njoftimin e policisë./albeu.com


Shtuar 11.11.2021 13:50