KLSH padit tetë doganierë të Kakavijës
Pëlqej
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar auditimin në degën e Doganës në Kakavijë, për periudhën e veprimtarisë 2012-2013 ka konstatuar një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, të cilat i kanë sjellë buxhetit të shtetit një dëm prej 72 milionë lekësh. Për shkeljet e konstatuara KLSH-ja ka kallëzuar në Prokurori 8 punonjës:

Shkeljet e konstatuara:

1. Mospërputhje në procedura dhe të meta e mangësi në zbatimin e legjislacionit dhe akteve administrative që rregullojnë funksionimin e Degës Doganore, si në drejtim të procesit të vlerësimit e pranimit të deklaratave doganore të subjekteve të biznesit dhe individëve, ashtu dhe në drejtim të administrimit material e financiar, të cilat kanë sjellë për pasojë një dëm financiar dhe mungesë të ardhurash për Buxhetin e Shtetit në shumën 72,206,897 lekë.

2. Mosrregjistrimi i të gjitha mjeteve të huaja. Nga të dhënat e marra nga sistemi TIMS, për numrin e automjeteve të hyra, të ballafaquara me dokumentacionin e arkëtimeve të paraqitur nga zyra e financës të doganës, si dhe akordimeve të bëra me punonjësit përgjegjës, rezultoi se doganierë të pikës së hyrje-daljes nuk shënonin në regjistër të gjitha mjetet, duke sjellë një diferencë të paarkëtuar, në total me dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit në vlerën e 120,195 euro për 2.671 raste, për periudhën 2012-2013.

3. Mozbatimi dhe mosarkëtimi i tarifave të parkingut, duke krijuar një dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit, për 4,334,600 lekë në periudhën 01.06.2012 - 31.12.2013.

4. Praktika doganore me grup artikujsh nga i njëjti eksportues të cilat janë trajtuar me origjinë preferenciale me nivel të taksës doganore 0%, në shkelje të MSA-së të Shqipërisë me Bashkimin Evropian;

5. Praktika doganore në kundërshtim me legjislacionin tonë doganor, etj.

Për këto shkelje dhe shkelje të tjera të konstatuara, KLSH-ja ka kallëzuar në Prokurori 8 punonjës: N.S; N.P; D.D; K.S; A.Q; K.D; L.V dhe F.D, me detyrë doganierë të kontrollit fizik në pikë-hyrje dhe të parkingut doganor, në degën e Doganës Kakavijë, të cilët kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën” parashikuar nga neni 135 i ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”. KLSH-ja i ka përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Gjirokastër materialet e auditimit dhe të gjitha provat përkatëse.

Për të gjithë doganierët e rezultuar me shkelje në raportin përfundimtar të Auditimit, KLSH-ja i ka propozuar Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave të marrë masat disiplinore nga ajo e “largimit nga shërbimi civil” deri në “mbajtje deri në 1/3 e pagës”.

Gjithashtu, KLSH-ja ka rekomanduar 7 masa organizative, 5 masa për shpërblim dëmi në vlerën 66,328,917 lekë, si dhe 2 masa administrative, penalitet për 2 subjekte.
Shtuar më 26/09/2014, ora 17:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori