KLSH kallëzim penal për tre punonjës të ZVRPP-së Tiranë
Një ish-drejtuese, dy juristë dhe një hartograf i zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë janë kallëzuar në prokurori nga Kontrolli i Lartë i SHtetit. KLSH ka ushtruar auditim në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) Tiranë, për veprimtarinë e Zyrës në periudhën Janar 2011-Dhjetor 2012.



Nga ky auditim u konstatuan një sërë shkeljesh në drejtim të regjistrimit të tokës bujqësore dhe kryerje veprimesh, mbi pasuri të fituara me kontrata shitblerje nga pushteti vendor. Për këto, KLSH ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për ish-Regjistruesen M.B., për juristët E.S., M.M. dhe hartografen E.H., me akuzën e shpërdorimit të detyrës për mangësi, shkelje e të meta që bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, konkretisht për:
- Moszbatim të kërkesave të ligjit nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar me ligjin nr. 33/2012, datë 29.04.2012, gërma “b” dhe “c”, të Udhëzimit të Këshillit të Ministrave nr. 2, datë 08.4.2009 “Për mënyrën e procedimit të organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”, dhe të Rregullores së Brendshme të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nr. 184, datë 08.04.1999, të ndryshuar, si dhe dispozitave të tjera ligjore.
Për praktika të lidhura me veprimtarinë e dy institucioneve, ZVRPP Tiranë dhe ALUIZNI Tiranë, KLSH kallëzoi në Prokurori edhe T.B., përgjegjës në Sektorin e Urbanistikës të ALUIZNI Tiranë dhe L.K., ish-përgjegjëse e sektorit të legalizimit, po të ALUIZNI Tiranë, për dhënien e dy lejeve të legalizimit, të cilat, në kundërshtim të plotë me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e zonave të ndërtimeve informale” të ndryshuar, janë pjesërisht brenda territorit të qytetit Studenti, duke i shkaktuar, krahas të tjerave, edhe dëm ekonomik Buxhetit të Shtetit.
Grupi i auditimit i KLSH propozoi masën disiplinore “Largim i Menjëhershëm nga Puna” për tre punonjësit aktualë të kallëzuar penalisht në ZVRPP Tiranë, si dhe “Vërejtje me Paralajmërim për Pushim nga Puna” për 26 punonjës të tjerë, nga të cilët 11 juristë dhe 14 inxhinierë.
KLSH propozoi ndryshim në legjislacionin e rregjistrimit të pasurive të paluajtshme, për rregullimin ligjor të pasurive të tipit veranda, pasi sipërfaqja e tyre deri tani nuk rregjistrohej dhe për rrjedhojë, nuk tatohej. Regjistrimi i tyre, për çdo transaksion regjistrimi të kalimit të pronësisë, do të krijonte të ardhura në favor të Buxhetit të Shtetit, si në regjistrimin e objektit për pagesën e tarifës së regjistrimit për metër/katror, dhe për tatimin mbi kalimin e pronësisë, për çdo transaksion.


Grupi i auditimit propozoi gjithashtu edhe 24 masa organizative, ndër të cilat theksojmë masën që Rregjistruesi i Zyrës t’i kërkojë Komisionit Vendor të Verifikimit të Titujve të Pronësisë, verifikimin e ligjshmërisë së disa Akteve të Marrjes së Tokës në pronësi, për zonat problematike kadastrale në Ahmetaq, Bërxull, Baldushk, Ndroq, Pezë e Madhe dhe Priskë e Madhe. /albeu.com/

Shtuar më 24/02/2014, ora 18:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori