Klosi: Unifikim të diplomave të arsimit profesional në rajon
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, është shprehur sot se në muajin dhjetor do të propozojë ngritjen e rrjetit të përbashkët të shkollave dhe formimit profesional. Kjo deklaratë është dhënë teksa ai ka qënë i pranishëm në aktivitetin për publikimin e rezultateve të bashkëpunimit të projektit SEED në Shqipëri, Serbi e Kosovë, të zhvilluar në Shkodër.

"Përpjekja e sotme së bashku me partnerët tanë, vazhdon në kuadër të filozofisë sonë për të orientuar të rinjtë dhe të rejat drejt tregut të punës. Eshtë një përpjekje e mbështetur nga partnerët tanë austriakë, për të krijuar më shumë mundësi punësimi për vajzat dhe gratë nëpërmjet kualifikimit profesional. Edhe ne këtë biznes që jemi sot, i cili kërkon disa qindra punonjës të kualifikuar por mungesa e tyre ka bërë që përsëri të kemi këtë mos rakordancë nëpërmjet zyrave tona të punës dhe bizneseve.

Ne kërkuam dhe sot e do vazhdojmë ta kërkojmë me forcë që forcimi i arsimit profesional, zanateve dhe profesioneve, është mundësia e vetme drejt tregut të punës. Mbështetja që projekti i ka dhenë bashkëpunimit ndërmjet grupeve tre palëshe– shoqëri civile, punëdhënës dhe punëmarrës në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, na dëshmon dhe një herë se sa shumë mund të bëjmë që tregu i punës në rajonin tonë të jetë i gatshëm për të ofruar një gjeneratë të re profesionistësh për tregun shqiptar, rajonal por edhe për tregun evropian të punës.

Po përpiqemi shumë që arsimi dhe formimi profesional të jetë kudo që kerkon një zgjidhje për problemet e punësimit dhe realisht në qarkun e Shkodrës, po të shikojmë shifrat e punësimit na bën optimist që nëpërmjet aksioneve të tilla dhe projekteve fare të thjeshta, të zgjidhim probleme të mëdha.

Vazhdojmë të bëjmë thirrje që të rinj dhe të reja të drejtohen drejt zyrave të punës ku ka shumë mundësi punësimi, drejt arsimit dhe formimit profesional me shumë mundësi edukimi dhe po ashtu biznesi të drejtohet drejt këtyre institucioneve ku mund të gjejë profesionistë dhe të kualifikuar në përputhje me tregun e biznesit.

Ambjenti i konsullit të nderit të Austrisë në Shqipëri dhe siç e shikoni mbase dhe për këtë fakt mund të jetë nga të pakta vende në Shqipëri ku ne organizojmë një aktivitet, një konferencë dhe tre metra më përpara punëtorët punojnë, nuk e kthejnë kokën se çfarë po flasim se çfarë po bëhet dhe të hutohen nga fjalët por janë të orientuar nga puna. Ky është qëllimi i përpjekjes tonë të vazhdueshme që kemi në kuadër të Strategjisë për Punësim dhe Aftësim, qoftë në dëshirën e projektit për tu orientuar drejt tregut të punës. Sa e bëjmë ne gjithë përpjekjen tone me politika, me arsim profesional për t’i orientuar qytetarët për tregun e punës.

Sa të mundur e bëjmë ne që Gjergj Liqeza të mos ketë probleme për të gjetur 100 punëtorë sot dhe t’i ketë vendet e punës gati. Sa ndikojnë zyrat e punës, shërbimi kombëtar i punës, inspektoriati i punës, shkollat e formimit profesional, qendrat e formimit profesional që të trajnojë dhe edukojë disa mijëra punëkërkues të papunë në Qarkun e Shkodrës të cilët vazhdojnë të mendojnë se nuk ka mundësi për punë dhe nuk orientohen nga programet tona të punësimit drejt biznesit.

Ne e kemi biseduar shpesh me Drejtoritë Rajonale të Zyrave të Punësimit dhe e kuptojmë fare qartë që ne duhet të gjejmë arsye dhe problemin te vetja jonë, që pse një biznes kaq shumë i investuar nuk gjen dot një ndërfaqe të rregullt ndërmjet punëkërkuesve të papunë dhe vendit të punës. Pa dyshim ne përgjigjen mendojmë se e kemi. Duhen me shumë profesionistë, duhen më shumë lehtësira për biznesin që qytetarët që e gjejnë veten të papunë në tregun e punës, të gjejnë arsyen pse duhet të vinë në një biznes kaq të mirë të strukturuar.

Ne duhet të punojmë gjithmonë e më shumë që të rinjtë dhe të rejat shqiptare të kuptojnë që puna është aty por duhen profesionistë, duhen njerëz që të punojnë me punë të denjë, të jetojnë me punë të denjë dhe ti shërbejnë punës së denjë. Prandaj e vlerësoj shume projektin austriak i cili e ka pasur fare qartë që në momentin që është hartuar dhe realisht ndjehem mirë dhe tani që po e mbyllim këtë fazë të projektit duke shpresuar që projekti do të vazhdojë në faza të tjera, ambasadori ma premtoi këtë. Të kemi mbështetje për zhvillim, edukim dhe punësim në Shqipëri, në Serbi dhe Kosovë", ka thene nder te tjera ai. /albeu.com/


Shtuar më 18/10/2016, ora 14:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori