Klosi: Sipërmarrësit kërkojnë punëtorë të kualifikuar
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i është bashkuar sot fushatës mbarë europiane lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë. Në kuadër të kësaj fushate, ministri Blendi Klosi, i shoqëruar edhe nga drejtori i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli dhe përfaqësues të sipërmarrjes, ka inspektuar sot kushtet e sigurisë në punë në kompaninë e përpunimit dhe prodhimit të produkteve të drurit, “Ardeno”, që vepron në zonën industriale përgjatë segmentit të autostradës Tiranë-Durrës. Klosi ka parë nga afër kushtet që ofronte ky biznes sa i përket mbrojtjes së interesave të punëmarrësve, përfshi kushtet e ajrimit, masat e tjera mbrojtëse nga çdo rrezik në punë, si dhe ka biseduar nga afër me sipërmarrësit dhe me punëtorët e kësaj fabrike.

Në fjalën e tij, Klosi ka theksuar rëndësinë që ka jo vetëm për punëtorët, por edhe për vetë punëmarrësit garantimi i standardeve të kërkuara të sigurisë në punë. Kjo pasi sipas tij, kostoja e krijimit të këtyre standardeve është më e vogël sesa kostoja që do duhej për të përballuar shpenzimet për çdo aksident që mund të ndodhë si pasojë e mungesës së kushteve të sigurisë.

“Është një moment që na bën të mendojmë se duhet ta rikthejmë vëmendjen në këtë aspekt dhe kjo jo vetëm se është një kërkesë ligjore për mbrojtjen e jetës së punëmarrësve në vendin tonë, por edhe se kërkohet që vetë biznesi ta shikojë këtë aspekt si shumë domethënës dhe të rëndësishëm në aktivitetin e tyre.

Në Shqipëri nuk kemi shifra të ekzagjeruara të aksidenteve, por biznesi shqiptar duhet ta kuptojë që rritja e sigurisë, cilësisë dhe shëndetit në punë është një mundësi më pak për shpenzime për ta dhe minimizim i probabilitetit për ndodhjen e tyre”, tha ministri Klosi.

Më tej ai shtoi se kur vetë biznesi ofron kushte sigurie të larta, atëherë ai bëhet tërheqës edhe për punëmarrësit, të cilët kërkojnë jo vetëm një pagë, por edhe një punë të sigurt dhe mbi të gjitha, të shëndetshme. “Kur vijmë në kompani të tilla, nuk është se vijmë tek ato që janë më të thjeshta, por vijmë tek ato që janë model, në mënyrë që t'u kërkojmë dhe të tjerëve që të bëhen si ato. Por kjo nuk bëhet për një ditë dhe as për një periudhë të shkurtër dhe me investime qeveritare.

Kjo bëhet me eksperiencë dhe duke vendosur rregulla të forta pune. Ndaj ne, në këtë javë europiane të sigurisë dhe shëndetit në punë do shkojmë në biznese të ndryshme të vendit për t'u treguar të gjithë qytetarëve shqiptarë që të gjithë së bashku duhet t'i shërbejmë punës. Misioni kryesor i MMSR-së do jetë shërbimi karshi punës”, tha Klosi.

Ai ka gjetur edhe një herë rastin të bëjë apel për një vëmendje më të madhe karshi arsimit profesional, pasi siç u shpreh ministri, të dhënat nga zyrat e Punës tregojnë se sot janë 26 800 vende pune që kërkojnë punonjës të kualifikuar. “Në bisedë me shumë biznesmenë, në bisedë me të gjithë ata që ofrojnë punë, ne shohim se kemi një situatë paradoksale në vendin tonë. Në zyrat tona të Punës sot kemi plotë 150 mijë veta që kërkojnë punë, ndërkohë që në po të njëjtat zyra dhe sportele kemi 26 800 vende të lira pune. Pra biznesi kërkon punë, Shqipëria nuk ofron punonjës të kualifikuar”, tha Klosi.

Një tjetër aspekt ku duhet të ketë një qasje tjetër për të rritur punësimet në vend, sipas ministrit janë dhe zyrat e Punës, të cilat duhet të kalojnë nga roli i tyre pasiv në një rol më aktiv. “Zyrat tona të Punës në gjithë Shqipërinë duhet ta ndërrojnë krejtësisht aktivitetin e tyre, duhet të jenë shumë më tepër aktive dhe të jenë shumë më tepër në detyrën që ato kanë që të ofrojnë negociata midis biznesit dhe punëmarrësit, me qëllim që të kemi mundësi që në shkallë republike, këto vende të reja pune t'u bëhen me dije qytetarëve shqiptarë dhe të kemi mundësi që zyrat e Punës të mos jenë zyra pasive dhe që marrin vetëm ankesat e qytetarëve, por edhe t'ua zgjidhin ato”, u shpreh Klosi.

Ndërkohë që drejtori i Inspektoratit Kombëtar të Punës, Dritan Ylli u shpreh se promovimi i sigurisë dhe shëndetit në punë, jo vetëm përmirëson mbrojtjen dhe kushtet e kënaqshme të punës për punonjësit, por kontribuon gjithashtu për efikasitetin e bizneseve. “Operacioni kundër informalitetit edhe në tregun e punës ka për synim jo vetëm sigurimin e punonjësve dhe nxjerrjen nga kthetrat e skllavërisë, por edhe luftimin e pasojave të tjera negative që vijnë prej kësaj gjendjeje. Kujtojmë se një punonjës informal nuk mundet të ketë as kushte pune, pra ai nuk trajtohet as nga kujdesi shëndetësor dhe as ai i sigurimeve. Ndaj t'i deklarojnë aksidentet, sepse vetëm nëse deklarohet aksidenti, punonjësi mund të përfitojë nga skemat e ndihmës sociale dhe shëndetësore”, tha Ylli. /albeu.com/

Shtuar më 26/10/2015, ora 17:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori