Klosi: Reagimi i KLD i turpshëm
Partia Socialiste mbështeti sot deklaratën e djeshme të Ministrit të Drejtësisë dhe të Qeverisë Shqiptare për të kërkuar ndërhyrjen e Parlamentit. Në një deklaratë për mediat, deputeti Blendi Klosi u shpreh se Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar janë të skandalizuar nga vendimmarrja e njëpasnjëshme e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që arriti kulmin ditën e hënë kur ndaj gjyqtarëve me probleme flagrante në deklarimin e pasurisë, vendosi të mos merrte asnjë masë e të mos fillonte asnjë hetim.

"Një reagim që përforcoi edhe njëherë akuzën tonë se sistemi i drejtësisë po kthehet çdo ditë e më shumë në një rrjet ku bëjnë pjesë gjyqtarë kryekëput të korruptuar, që nuk punojnë për të vendosur drejtësi, por punojnë vetëm e vetëm për tu pasuruar vetë në kurriz të shqiptarëve.
Një rrjet gjyqtarësh të korruptuar që po kthehen në një sekt, që bëjnë gjithçka për të mbrojtur e shpëtuar njëri-tjetrin nga zullumet korruptive ku janë zhytur.
Që sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk funksionon, këtë e di sot i madh e i vogël.
Ishte kjo arsyeja pse një vit më parë shqiptarët votuan Koalicionin për Shqipërinë Europiane.
Është kjo arsyeja pse kjo maxhorancë është e vendosur që drejtësia në Shqipëri të vihet në lëvizje dhe shumë shpejt shqiptarëve tu kthehet besimi tek drejtësia." u shpreh Klosi.

Sipas tij përfaqësuesit e popullit kanë detyrimin ligjor dhe moral të shprehen dhe të distancohen nga ata përfaqësues në Këshillin e Lartë të Drejtësisë që janë zgjedhur aty nga Parlamenti për të përfaqësuar Parlamentin, por që çdo ditë e më shumë po bëhen palë me korrupsionin dhe me të korruptuarit. /albeu.com/
Shtuar më 09/07/2014, ora 13:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori