Klosi: Në Shqipëri ka punë, reformim të sistemit të punësimit
Punësimi i denjë dhe zhvillimi cilësor i forcës së punës do jenë në fokusin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitin 2016.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i MSR-së, Blendi Klosi, duke folur në Konferencën e Punësimit të organizuar nga “Europa Agency”, ku i pranishëm ishte edhe kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, si dhe presidenti i Shoqatës së Agjencive Private të Punësimit dhe Formimit Profesional, Ermal Jauri.

Ndërsa falenderoi agjencitë private të punësimit për rolin që luajnë në krijimin e mundësive të reja për punë në vendin tonë, ministri Klosi fillimisht bëri një përmbledhje të punës së kryer në vitin 2015, ku theksoi se falë punës së strukturave të ministrisë, por edhe të fushatës kundër informalitetit që ndërmori qeveria, u bë e mundur të luftohej puna e zezë dhe njëkohësisht të punësohen dhe një numër i konsiderueshëm punëkërkuesish.

“Shqipëria punon–Shqipëria ka punë. Ky nuk është një slogan publicistik, as një fushatë, por një realitet i prekshëm, i qëndrueshëm. Fushata pa kompromis që bëri qeveria në tremujorin e fundit të vitit të shkuar kundër informalitetit, solli si rezultat nxjerrjen nga puna në të zezë të rreth 120 000 punonjësve, të cilët sot janë të siguruar dhe kanë një punë të denjë.

Ndërkohë, gjatë vitit 2015 janë punësuar edhe rreth 30 000 punëkërkues”, tha ministri Blendi Klosi. Ai gjithashtu duke iu referuar pikërisht të dhënave zyrtare të zyrave të Punës, ku rezultojnë rreth 30 mijë vende pune të ofruara nga biznesi privat, theksoi se ato janë tepër domethënëse për punën që duhet bërë për të kualifikuar krahun e punës dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës.

“Ai që mund të konsiderohet një handikap në interpretimin e shifrave të mësipërme të kërkesë/ofertës në tregun e punës ka një shpjegim fare të thjeshtë. Ka një mospërputhje evidente midis zanateve që kërkohen nga biznesi me formimin e papërshtatshëm profesional të punëkërkuesve. Dhe ashtu siç është i thjeshtë shpjegimi, po aq racionale është edhe zgjidhja: Arsim dhe Formim Profesional”, tha Klosi.

Prandaj, theksoi ai, qeveria shqiptare i ka kushtuar rëndësi të posaçme reformimit të sistemit të Arsimit dhe Formimit Profesional për ta harmonizuar atë më mirë me kërkesat e tregut të punës. “Kjo do të thotë që krahas modernizimit të shkollave profesionale dhe qendrave të formimit profesional, ne duhet të garantojmë që çdo profil i tyre i shërben tregut të punës dhe i ndihmon nxënësit dhe kursantët të punësohen më pas”, shtoi Klosi.

Një vëmendje e veçantë gjatë këtij viti, ka theksuar ministri, do t’u kushtohet pikërisht zyrave të Punës, të cilat duhet t’iu vijnë në ndihmë punëdhënësve dhe punëkërkuesve duke marrë në terren kërkesat dhe ofertat e biznesit për punëtorë. Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se gjatë këtij viti do të vijojë hapja e zyrave të reja të punës.

“Ne jemi duke punuar për riorganizimin e këtyre zyrave sipas Modelit të Ri të Shërbimeve të Punësimit, ku mund të përmend këtu ngritjen e 14 zyrave të reja, me synim shtrirjen e këtij modeli në të gjitha zyrat e punësimit brenda vitit 2016; modernizimin e infrastrukturës dhe sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe rritjen e cilësisë së informacionit mbi tregun e punës; hartimin e politikave të përshtatshme në tregun e punës, në përputhje me kërkesat e komunitetit të biznesit dhe të forcës së punës në vend”, tha ministri Klosi.

Por përveç përpjekjeve brenda sistemit të shërbimeve të punësimit, Klosi bëri të ditur se ministria ka një qasje të re ndaj të gjithë aktorëve që veprojnë në tregun e punës për lehtësimin e raportit kërkesë-ofertë, siç janë agjencitë private të punësimit, për të bërë një ndërmjetësim të shpejtë e të saktë në tregun e punës, gjë që nxit dhe një mirëfunksionim të tij. Mandej, ai theksoi se me miratimet e ndryshimeve të Kodit të Punës, një formë e re agjencish punësimi do të funksionojë në tregun shqiptar të punës ashtu siç funksionojnë në të gjitha vendet e BE-së.

“Këto janë agjencitë e punësimit të përkohshëm, ose siç thuhet ndryshe ‘leasing’. Shumë shpejt, ministria do të lançojë për konsultim me palët e interesuara dhe grupet e interesit draftin e parë të aktit nënligjor, që do të rregullojë kushtet dhe mënyrën e themelimit dhe funksionimit të agjencive për punësim të përkohshëm”, tha Klosi. /albeu.com/
Shtuar më 16/01/2016, ora 14:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori