Klinaku: Kosova ta ndryshojnë politikën e vet karshi Serbisë
Albeu.com
Një subjekt i ri politik në Kosovë që në program të vet ka bashkimin e trojeve shqiptare, i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës ta ndryshojnë politikën e vet karshi Serbisë duke marrë një qëndrim më të ashpër ndaj pretendimeve të Beogradit.Avni Klinaku, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, është shprehur se Kuvendi i Kosovës, në një seancë urgjente, do të duhej të vendoste për të mos vazhduar me implementimin e dispozitave që planit të Ahtisarit që kanë të bëjnë me decentralizimin derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai e ka quajtur të rrezikshëm për Kosovën implementimin e këtij plani, sidomos pas votimit të rezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe deklaratave të Presidentit serb, Boris Tadiq në favor të ndarjes së Kosovës.
"Kërkesa jonë është që të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të debatohet gjerë e gjatë dhe do të rishqyrtohej politika jonë ndaj tendencave serbe. Ne nuk jemi duke kërkuar atë që vërtetë duhet ta bëjnë, por atë që është e domosdoshme ta bëjnë", deklaroi Avni Klinaku, lider i Lëvizjes për Bashkim.
Ai ka kërkuar që institucionet e Kosovës të ngulin këmbë në reciprocitet kur bëhet fjalë për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës me të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në tri komunat në jug të Serbisë qoftë edhe përmes krijimit të mundësisë që shqiptarët brenda Serbisë dhe serbët e veriut të Kosovës të shprehen përmes referendumit se në cilin shtet duan të jetojnë.
"Duhet të zbatohet reciprociteti në të drejtat e popullit shqiptar që jeton në trojet e veta historike në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë me veriun e Kosovës. Këtu duhet pasur një kujdes. Në asnjë mënyrë të drejtat e shqiptarëve në këto komuna nuk guxojnë të krahasohen me pakicën serbe në brendi të Kosovës", tha Klinaku.
Pavarësia e Kosovës, e njohur tashmë nga 50 shtete në botë, është shpallur në bazë të dispozitave të planit të Ahtisarit, dokument në të cilin decentralizimi dhe të drejtat e privilegjuara të komunitetit serb përbëjnë shumicën e përmbajtjes së tij. (Përparim Isufi, alsat-k)
Shtuar më 12/10/2008, ora 21:54
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori