Gabimi që bëjnë të gjithë, ekspertja: Si të rigjenerojmë lëkurën pas plazhit

Pas pushimeve, lëkura ka nevojë për më shumë përkujdesje për shkak se dielli dhe deti e dehidratojnë atë. Përpos kësaj, stili i jetesës gjatë pushimeve nuk është gjithmonë i duhuri për shëndetin ndaj lëkurës. Alkooli, duhani apo dhe netët pa gjumë lënë menjëherë gjurmët e tyre.

Farmacistja Bruna Hoxha ishte e ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku ndau disa këshilla se si të kujdeseni për lëkurën. Gjatë intervistës me moderatorin Alban Musa, ajo shpjegoi se është shumë e rëndësishme përdorimi i përditshëm i kremit të diellit dy herë në ditë.

Një gabim që bëjnë pothuajse të gjithë është se e aplikojnë kremin kundër diellit vetëm në mëngjes. Por siç theksoi farmacistja, duhet të aplikohet dhe kur do të ekspozoheni sërish në diell, zakonisht kur njerëzit dalin nga puna. Sipas saj, duhet të aplikohet të paktën 20 minuta para se të dalim jashtë.

Farmacistja rekomandoi maskën me argjilë, e cila mbahet për dhjetë minuta. Nuk duhet të harroni që të pini sa më shumë ujë për të qenë të hidratuar.

“Do të përdorim kremra me kolagjen dhe acid hialuronik. Pra, përdorim diçka që e mban ujin në lëkurë duke qenë se ka tharje të lëkurës.

Ai depërton në shtresën e mesme, në dermë, ku strehohet kolagjeni, acidi hialuronik. Në këtë mënyrë fytyra është më pak e skuqur, më pa rrudha, pra i jep shkëlqim.”, tha ajo duke rekomanduar gjithashtu scrub-et, peeling me acide të lehta, të cilat mund t’i përdorim një herë në javë.

Këto kremra që ne përdorim përthithen më mirë në lëkurë kur pastrohet shtresa e sipërme, pra hiqen qelizat e vdekura.”, tha farmacistja.