Kjo familje ka ruajtur paratë që u la amanet ushtari osman (FOTO LAJM)

Pëlqej
Një familje e shquar tregtare palestineze në Nablus në Bregun Perëndimor më shumë se një shekull ruan paratë, të cilat ushtari osman ua ka lënë amanet pasi ishte dërguar në një front tjetër gjatë Luftës së Parë Botërore, shkruan Anadolu Agency (AA).

Gjatë Luftës së Parë Botërore ushtari osman është dërguar në një front tjetër, dhe të gjitha paratë që kishte mbledhur i ka mbështjellë në një copë pëlhure dhe ia ka lënë amanet një tregtari në qytetin Nablus, të quajtur Ryshdy Efendi.

Ushtari Osman ia ka dorëzuar paratë Ryshdy Efendisë, duke thënë se “I marr nëse kthehemi”.

Ndërkaq Ryshdy Efendiu dhe nipërit e tij janë kujdesur për këtë amanet si për sytë e tyre. Madje, deri më tani as që i kanë numëruar shumën e parave duke thënë se “amaneti nuk hapet”.

Gjithashtu ushtari Osman i cili ka lënë paratë nuk është kthyer më asnjëherë në Palestinë, mirëpo amaneti i tij ruhet ashtu siç e ka lënë në duart e sigurta.

Historinë e amanetit të ruajtur me një kujdes të madh me vite të tëra nga familja tregtare nga Nablusi, për herë të parë e zbuluan gazetarët e AA-së.

Me vlerën e sotme janë 140 mijë lira turke (rreth 25 mijë euro)

Nipi i Ryshdy Efendisë, Ragip Hilmi el-Alul, i cili menaxhon dyqanin familjar në Nablus, qytet që njihet si një nga qytetet më të vjetra të Palestinës, pas insistimit të gazetarit të AA-së pranoi që t’i numërojë paratë.

Në bazë të shkrimeve mësohet se paratë janë nga periudha e Sulltan Mehmed Reshadit dhe përbëhen nga 10 kartëmonedha prej gjysmë lirash, 117 prej një lirash dhe 5 nga 5 lirash.

152 lira osmane të cilat ushtari osman ia kishte lënë Ryshdy Efendisë me vlerën e sotme kushtojnë rreth 140 mijë lira turke (rreth 25 mijë euro).

Tregtari nga Nablusi Alul i cili ka marrë amanetin nga xhaxhai i tij, pas fotografimit të tyre nga gazetarët, përsëri i vendosi ato në një kasafortë çeliku në dyqanin e tij, duke i mbështjellë me një pëlhurë.

Alul ka lindur në vitin 1947 në Nablus dhe vjen nga një prej familjeve më të shquara tregtare në qytet.

Nuk dihet emri i ushtarit që i ka lënë paratë

Alul i cili emocionohet duke treguar amanetin e lënë nga ushtari osman tha se “Një nga ushtarët turq të cilët në kohën e Luftës së Parë Botërore ishin në detyrë në Nablus, ia ka dorëzuar paratë xhaxhait tim Ryshdy Efendisë, duke i thënë se ‘Këtë po ta lë si amanet, kur të kthehem nga lufta do t’i marr nga ti’ dhe më pas kishte shkuar”.

Sipas tij, ky amanet qëndron tek ata që nga ajo ditë. Alul tha se supozohet se amaneti është lënë në vitin 1915.

Alul thotë se nuk dinë asgjë në lidhje me ushtarin turk i cili ka lënë paratë, madje as emrin e tij. “A thua ka vdekur në luftë, apo është kthyer i gjallë e më pas ka vdekur? Ku ta di… as emrin e tij nuk e dimë.

Sepse xhaxhai im ia ka harruar emrin. Pasi që ia ka lënë një shumë kaq të madhe të parave, me siguri kanë patur miqësi të mirë. Amaneti i tij ende qëndron te ne ashtu siç është lënë”, tha Alul.

Palestinezi Alul po ashtu tha se kështu kanë vendosur që ta tregojnë historinë e këtij amaneti.

“Familja jonë e cila njihet me besnikërinë ndaj amanetit, pothuajse është kasaforta e Nablusit. Ashtu si të gjithë, edhe ky ushtar turk ka dorëzuar paratë e tij tek të vjetrit e familjes sonë.

Ky amanet ka qëndruar në kasafortën tonë. Deri në atë ditë kur një delegacion zyrtar nga Konsullata e Përgjithshme Turke në Kuds na vizitoi neve. Ne vendosën që t’u tregojmë atyre këtë amanet legjendar.

Ne nuk e dinim as shumën e parave që na është lënë amanet. Për herë të parë me kërkesën tuaj i numëruam. Këtë histori për herë të parë ia treguan Anadolu Agency”, tha ai.

Duke theksuar se ata nuk e kanë prekur madje as pëlhurën me të cilën janë mbështjellë paratë, Alul tha: “Ja pra siç e shihni edhe ju, pëlhurën po e lidhim ashtu siç ishte dhe do ta vendosim në vendin ku duhet të jetë”. Më pas ai e largoi kasafortën familjare nga e cila nxorri paratë.

Do të vazhdojë të mbetet si amanet

71 vjeçari Alul tha se është një nder për ta që amaneti i lënë nga ushtari Osman është ruajtur për më shumë se një shekull ashtu siç është dorëzuar.

“Njerëzit vijnë dhe i lënë amanetet e tyre dhe pas një apo dy muajsh vijnë dhe i marrin ato. Por, një amanet që ka kaluar më shumë se 100 vite, ka një kuptim të veçantë. Pronari i tij nuk erdhi për ta marrë dhe nuk besojmë që do të vijë. Mirëpo, ajo do të vazhdojë të mbetet si amanet”, tha Alul.

“Është haram të ketë pluhur mbi amanet

Alul tha se xhaxhai i tij Ryshdy Efendia e ka vendosur pëlhurën me të cilën ishin mbështjellë paratë në kasafortën familjare dhe se i ka ruajtur aty.

“Unë për herë të parë me këtë amanet u takova në vitet 1970. Pas diplomimit fillova të punoj këtu në dyqanin familjar dhe këtë amanet e pashë pasi një ditë e hapa kasafortën.

Pasi pyeta se çfarë janë, të vjetrit e familjes treguan historinë e tyre. Lufta mbaroi dhe pronari i parave nuk u kthye, mirëpo ne asnjëherë nuk menduam t’i shfrytëzojmë ato. Ja pra është e njëjtë madje edhe me pëlhurën me të cilën është lënë si amanet”, tha Alul.

“Atë ditë kishte një vlerë tjetër ndërsa sot ka një vlerë tjetër. Sot ka vlerë sepse është diçka antike dhe historike. Por, sidoqoftë nuk kemi pasur ndonjë mendim për ndryshim apo përdorimin e parave, sepse ky është një amanet.

Amaneti për ne është shumë i rëndësishëm. Edhe nëse bie pluhur mbi të është haram për ne. Amaneti pret që t’i kthehet pronarit ashtu siç është lënë”, tha ai.

“Pra, dorëzimi i një amaneti të tillë nga një ushtar turk, në të vërtetë tregon përkushtimin tonë dhe të popullit të Nablusit me Turqinë. Dhe me siguri që ky ushtar turk kishte miqësi me xhaxhanë dhe familjen tonë. Ka ardhur dhe ka lënë amanetin e tij dhe ka shkuar në luftë”, shtoi Alul.

“Amaneti pret pronarin e tij ashtu siç është lënë”

Duke shtuar se amaneti i dorëzuar te një anëtar i familjes së tij ka lidhje me besimin që ndjehet për ta, Alul tha se “Deri në një të ardhme të afërt njerëzit vinin dhe i linin paratë si amanet këtu. Kur filluan të hapen bankat, njerëzit erdhën dhe i morën paratë e tyre dhe i vendosën në banka. Të gjithë e dinë. Banorët e rajonit vinin dhe mund t’i dorëzonin paratë e tyre me siguri. Ky është amaneti i fundit që ka mbetur te ne, ashtu siç është lënë po e pret pronarin”.

Alul në lidhje me atë se kujt do t’ia dorëzojë amanetin tha se: “Nëse pronari i këtij amaneti sot ka fëmijë apo nipër e mbesa në Turqi dhe nëse u ka lënë ndonjë dokument fëmijëve të tij për këtë amanet atëherë do të shihet dhe në bazë të rastit amaneti dorëzohet. Për një amanet i cili ka pritur deri më tani, nuk mjafton vetëm të dalë një anëtar, tanimë nevojitet një dokument”, thotë Alul.

Në lidhje me pyetjen se a mendon që këto para t’i dorëzojë në një muze në Turqi, Alul tha se për këtë duhet të marrin një vendim të përbashkët në familje.

Familja e Alul-it njihet me besimin për ta

Palestinezi Alul duke folur për familjen e tij, e cila ka një vend të rëndësishëm në jetën tregtare dhe sociale në Nablus tha:

“Kemi një histori të lashtë familjare dhe jemi një nga familjet më të njohura në Nablus. Jemi një familje që bën tregti dhe prodhime, që ka fabrika të sapunit e të tahinit.

Familja jonë në një farë mënyre është bërë partnere e të gjitha fabrikave të mëdha në Nablus. Familja Alul është familje që ka kontribuar në zhvillimin social dhe ekonomik të Nablusit”.

“Jemi familje që ka organizata humanitare e që ka prekur në jetën e njerëzve. Ruajtja e amanetit është një prej karakteristikave të rëndësishme të familjes sonë dhe vazhdojmë ta trashëgojmë këtë cilësi edhe tek pasardhësit tanë.

Ky amanet gjendet në një kasafortë hekuri dhe është në vend të fshehtë. Ushtarët e Izraelit shpesh herë kanë bastisur zyrat tona por deri më tani nuk kanë prekur në kasafortat tona”, thotë ai.

Alul tha se sot ende anëtarë të ndryshëm të familjes së tij të cilët janë shpërndarë në pjesë të ndryshme të botës, dëshirojnë që ta shohin këtë amanet dhe të dëgjojnë historinë për të. /AA/
Shtuar më 21/07/2018, ora 11:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori