Një shqiptare e Kosovës, Rama i dorëzon Begajt emrin e kreut të SHISH

Kryeministri Rama përmes një postimi në Facebook, ka bërë me dije se i ka propozuar Presidenti të vendit, Bajram Begaj emrin e drejtoreshës së SHISH.

Emri  të cilin Begaj e ka në tavolinë për kreun e SHISH është ai i Vlora Hysenit.

Ai thotë se eksperienca e krijuar ndër vite e Hysneit gëzon mbështetjen e komunitetit  ndërkombëtar të Inteligjencës, dhe këto tregues shton Rama përbejnë një garanci për reformimin e mëtejshme të SHISH.

Rama: Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.

Më herët Vlora Hyseni ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ku qëndroi në detyrë për 4 muaj.

Ajo u shkarkua nga Albin Kurti e më tej me firmën e Vjosa Osmanit në 30 qershor 2021, duke sjellë edhe debate politike në Prishtinë.

“Vendimi për shkarkim e obligon Vlora Hysenin të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara”, thuhet në komunikatë.

Nuk bëhen të ditura më shumë arsye të shkarkimit të zyrtares së lartë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, mirëpo në komunikatë përmendet fakti se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar” thuhej në njoftimin për media nga zyra e Kurtit asokohe.

Pas kësaj Hyseni ka shërbyer si këshilltare pranë kryeministrit të Shqipërisë.

Prej disa muajsh SHISH funksionon pa një drejtues.

Helidon Bendo në dhjetor të vitit të shkuar paraqiti zyrtarisht dorëheqjen pranë Presidentit, ndërsa në detyrë u komandua Oljan Kanushi.

Ky i fundit u emërua në detyrën e zëvendësdrejtorit pranë Shërbimit Informativ Shtetëror në muajin gusht të vitit 2022.

/Albeu.com/


Shtuar 17.03.2023 15:17