Kjo është banda më e rrezikshme e Tiranës
Gazetari Julian Kasapi, tha në #DritaremeRudinën, se për të luftuar krimin, duhet ditur se si funksionojnë bandat.

Sipas tij, policia ka informacione, se kush janë klanet në Shqipëri, çfarë aktiviteti zhvillojnë dhe ku i çojnë paratë e tyre. Kasapi, duke iu referuar burimeve të brendshme nga policia, tregoi mënyrën se si këto grupe kriminale pastrojnë paratë në Shqipëri.

“Klanet mafioze i sigurojnë paratë, nëpërmjet 4 aktiviteteve: shfrytëzimi i prostitucionit, trafik narkotikësh, mospagim i taksave dhe trafik njerëzish. Më pas këto para i pastrojnë nëpërmjet disa mënyrave, të tilla si:

– Investimi në pasuri të paluajtshme (shtëpi, automjete etj.);

– Investime në fushën e ndërtimit;

– Ivestime në aktivitete tregtare (dyqane, lokale, karburante);

– Transaksione bankare;

– Falsifikime dokumentesh;

– Krijimi i kompanive offshore.

Pjesa dërrmuese e pasurive dhe aktiviteteve, nuk është regjistruar në emër të anëtarëve të klaneve. Por, rezulton të jetë regjistruar në emër të familjarëve të personave apo të njohurve të tyre”, – tha Kasapi.

Ai përmendi edhe rastin specifik të bandës më të rrezikshme në Tiranë, si dhe tregoi aktivitetin dhe mënyrën si është organizuar ajo.

Grupi e zhvillon aktivitetin në periferi të Tiranës. Tregton kryesisht kokainë dhe heroinë të cilësisë së lartë, të cilën e siguron në qytetin e Durrësit.

Ky grup është i përbërë nga 27 anëtarë, disa prej tyre të vrarë gjatë periudhës së analizimit. Paraqitet si një nga grupet më të rrezikshme, në qarkun e Tiranës.

Ky grup ishte aktiv dhe gjatë kohës që drejtuesi i grupit ka qenë në burg, i dënuar për vrasje. Me lirimin e tij nga burgu, grupi e ka intensifikuar aktivitetin kriminal.

Përveç krimeve ndaj jetës, në eliminimin e anëtarëve të grupit rival, pjesëtarë të këtij grupi janë përfshirë në aktivitet të tilla, si: trafiku dhe shpërndarja e narkotikëve, vënia e gjobave subjekteve tregtare, vjedhje me dhunë e armë etj.

Prania e këtij grupi në qarkun e Tiranës ka shkaktuar rritje të numrit të krimeve të rënda dhe pasiguri tek qytetarët”, – tha Kasapi, duke iu referuar informacioneve të brendshme të policisë. /Dritare.net
Shtuar më 03/10/2017, ora 11:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori