Kishin kërkuar azil në Francë e Gjermani, riatdhesohen 104 persona
Ditën e sotme janë riatdhesuar nga Franca dhe Gjermania 104 shtetas shqiptarë, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen dhe kishin kërkuar azil.

Sot janë realizuar dy fluturime charter. I pari rreth orës 13:30 ku u riatdhesuan me fluturim charter nga Lille, Francë, 48 shtetas shqiptarë, nga të cilët 43 nga Franca dhe 5 nga Belgjika.

Gjithashtu, po sot, rreth orës 14 : 45, u riatdhesuan me fluturim charter nga Gjermania, 56 shtetas shqiptarë, të cilët kishin kërkuar azil në Gjermani.

Pas intervistimeve të thelluara, të zhvilluara nga specialistët e Policisë Kufitare Rinas, në kushte të rrepta të marra për parandalimin e përhapjes së virusit, të gjithë shtetasit e riatdhesuar janë lënë të lirë.

Të gjithë këta shtetas, në zbatim të urdhrit nr. 641, të Ministrit të Brendshëm, lëshuar më datë 20.12.2019, nuk lejohen më të udhëtojnë në vendet e BE-së, për tre vjet, që prej datës së kthimit deportiv.

Operacionet e riatdhesimit do vijojnë edhe në javët e ardhshme dhe Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë edhe njëherë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë me rigorozitet rregullat për të lëvizur dhe qëndruar në vendet e BE-së dhe të mos tentojnë e të mos bëjnë asnjë shpenzim për të kërkuar azil, pasi shanset për ta fituar atë janë zero.


Shtuar më 10/03/2020, ora 16:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori