Kisha Ortodokse: Ndalimi i simboleve efekt negativ
Kisha Ortodokse Autoqefale është institucioni i dytë fetar që del kundër projektligjit të ministrisë së arsimit për sistemin arsimor parauniversitar mbi ndalimin e simboleve fetare në shkolla. Sipas këtij institucioni ky projektligj u shqyrtua me kujdes dhe ngjall mjaft shqetësime në lidhje me çështjet fetare që trajtohen në të. Mendimi i shprehur nga organet përkatëse të Kishës, është se Neni 36, paragrafi 4, mbi ndalimin e simboleve fetare për nxënësit e shkollave, përbën cënim të së drejtës së mendimit, bindjeve dhe ushtrimit fesë, të drejta këto të garantuara për të gjithë qytetarët e Shqipërisë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Lidhur me këtë në përgjigjen drejtuar Ministrisë së Arsimit sugjerohet heqja e paragrafit 4 të nenit 36, mbi ndalimin e ekspozimit të simboleve fetare.

Sipas Kishës Ortodokse bindjet fetare e për rrjedhojë e mbajtjes së simboleve fetare nga ana e nxënësve është në harmoni të plotë me këto të drejta dhe për më tepër ato kurrsesi nuk mund të përbëjnë pengesë ose kërcënim për nxënësit dhe shkollat tona, pasi shoqëria shqiptare edhe pse multifetare është e njohur për harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore ndërfetare.

Kisha Ortodokse shpreh mendimin se ky projektligj në Shqipëri mund të ngjallë konflikte rreth simboleve fetare duke cënuar tolerancën dhe bashkëjetesën paqësore.
Shtuar më 11/01/2011, ora 15:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori