Kina dhe Rusia: “S’do të bllokojmë përpjekjen për pavarësi”
Albeu.com
nga Guy Dinmore & Daniel Dombey, Financial TimesSHBA garanton votën abstenuese të Pekinit e Moskës në Këshillin e Sigurimit.Rusia dhe Kina i kanë bërë të ditur SHBA-së, se nuk do të bllokojnë pavarësinë e Kosovës sipas diplomatëve perëndimorë. Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, e ka diskutuar këtë çështje javën e kaluar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili pohoi se “Moska nuk do të pengojë përpjekjen për ta bërë Kosovën të pavarur”. Ka shumë mundësi që Rusia dhe Kina të abstenojnë gjatë votimit në Këshillin e Sigurimit, të një rezolute që do të garantonte pavarësinë e Kosovës. Kosova, me shumicë shqiptare dhe pakicë serbe, ka pasur një status të paqëndrueshëm që kur forcat e NATO-s bombarduan Serbinë në vitin 1999, me qëllim që të detyronin forcat serbe të ndalonin spastrimin etnik në Kosovë. Por debati ka hyrë tashmë në një fazë të re, me nisjen e negociatave të nxitura nga OKB-ja për të vendosur statusin përfundimtar të Kosovës. Çështja është shumë delikate, pasi Serbia, që ka ofruar autonomi, por jo pavarësi për Kosovën, është përfshirë në një përballje të vështirë me komunitetin ndërkombëtar, që po kërkon me ngulm dorëzimin e të akuzuarve për krime lufte Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç. Vdekja e Millosheviçit javën e kaluar, e ka tensionuar edhe më shumë situatën në Serbi. SHBA-ja dhe Britania po e detyrojnë Serbinë të pranojë pavarësinë e Kosovës, ndërsa Rusia që i frikësohet faktit se ky do të ishte një precedent i rrezikshëm për republikën e saj separatiste, Çeçeninë, ka paraqitur dyshime.
Zyrtarët që kërkuan të mos identifikohen, thanë se administrata Bush e ka bindur tashmë Pekinin dhe Moskën, se pavarësia për Kosovën është “unike” dhe se kjo s’do të konsiderohej aspak si precedent për Çeçeninë, Tajvanin apo Tibetin. Gjithsesi, analistët thonë se Moska kërkon një marrëveshje me të mirë me Uashingtonin, që mund të linte shtegun e hapur për një zgjidhje të tipit të Kosovës për rajone të tjera, përfshi këtu edhe rajonin separatist të Gjeorgjisë, Abkhazia, që mbështetet nga Rusia. Javën e kaluar, Jack Straw, Sekretari i Jashtëm britanik, tha se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme. Por homologu i tij francez, Philippe Douste-Blazy, paraqiti një qëndrim më pranë vijës zyrtare të Bashkimit Evropian, duke deklaruar se “Negociatat nuk duhet të paragjykohen”. BE-ja ka deklaruar se i ka bërë të ditur Serbisë, se ka kohë deri në fund të muajit për të rritur bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës dhe për të dorëzuar gjeneralin Mlladiç.
Gazeta Shqiptare
Shtuar më 17/03/2006, ora 09:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori