Kim Mehmeti: Një kryeministër s'mund të sillet si budallai i mëhallës
Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti e sheh krizën e fundit politike në Shqipëri si pasojë që ka ardhur nga sjellja e përgjegjshme e klasës politike në 30 vitet e fundit.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, Mehmeti thotë se Edi Rama është përfaqësuesi më i denjë i politikani që në këto vite i morën gjithçka vendit dhe nuk i dhanë asgjë. Duke e cilësuar kryeministrin Rama modelin e politikanit që për interesa të pushteti partiak sakrifikon çdo gjë, Mehmeti shprehet se politikanëve të tillë nuk ke çfarë këshillash t’u japësh.

“Andaj edhe s’ke çka i sugjeron njeriut që të lë përshtypjen se nuk e ka kuptuar më parësoren që duhet ta dijë një burrështetas: se çfarë i ka hije të bëjë e të thotë budallai i mëhallës, nuk i ka hije të parit të shtetit, se e ka pru punën deri aty sa paraqitjet e tij publike duhet të shoqërohen me paralajmërimin: keni kujdes, është e ndaluar për adoleshentët, ngaqë folësi është i paparashikueshëm dhe mund të bëjë ndonjë sjellje të turpshme dhe të përdorë fjalorë të pistë!”,- shprehet shkrimtari i njohur.

Mehmeti thekson se tema e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është një projekt serb, i cili është prezantuar në mënyrë të paturpshme dhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Lidhur me tezën e bashkimit të trojeve shqiptare, Mehmeti shprehet “ideali për bashkim kombëtar nuk do vdes deri sa të ketë shqiptari”, por shton këtë nuk mund ta realizojnë politikanë “si Kryeministri i Shqipërisë, që e ‘copëzoi’ edhe atë pakë mëmëdhe që kemi”.

Mehmeti në komunikimin tuaj publik ju flisni shpesh për “Shqipëritë tona” duke ju referuar Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Në te tre shtetet duket se problemet janë të njëjta, problemet me qeverisjen, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe një braktisje vendeve nga të rinjtë që nuk shohin më shpresë. Cili është problemi kryesor i elitave në Shqipëritë tona që duket se vetëm riciklojnë kriza?

K.Mehmeti: Elitat tona politike e pasqyrojnë edhe kulturën dhe mendësinë tonë kolektive politike, sepse të zgjedhurit e një populli janë edhe fytyrat e zgjedhësve të tyre.

Pastaj politikanët tanë janë ‘prodhim’ i shoqërive në të cilat politika është ‘biznesi’ më fitimprurës. Dhe ku pushtetmbajtësit përjetohen si pronarë të shtetit, të cilët të japin aq sa duan dhe kur të duan, por edhe marrin sa të duan dhe pa pyetur askënd!

Dhe e tëra kjo mbase ka të bëjë edhe me diçka më të thellë se problemi me elitat politike: se ne ishim dhe mbetëm popull ‘joinstitucional’ dhe si të tillë, i përkulemi dhe i nënshtrohemi të fortit e të pushtetshmit, por jemi mospërfillës ndaj institucioneve, se neve nuk na intereson gjithaq ligji, por ‘maliqi’ që e zbaton atë, se ne e çmojmë ‘bajraktarin’ dhe ‘cubin’ e fshatit e të mëhallëve, por jemi mospërfillës ndaj të ndershmit dhe të dinjitetshmit.

Më në fund, nuk duhet harruar se gjatë historisë sonë, ne nuk jemi marrë gjithaq me ndërtimin e shtetit për vetveten, por të atij që u pëlqen pushtetarëve. Pastaj ne kemi mbrojtur e kemi dhënë çdo gjë tonën për prijësin e partinë, por jo edhe për shtetin.

Andaj nuk duhet harruar se Shqipërinë e sotme demokratike, e ndërtojnë të ardhurit nga e djeshme, ata që edhe sot, njësoj si dje, çdo gjë e matin me peshoret partiake. Madje për ata edhe vendi e shqiptaria, janë të barasvlershme me partinë që drejtojnë.

Pra ne jetojmë në shtete partiake, e jo me institucione të mirëfillta demokratike. Dhe elitat tona të sotme politike, që dinë si forcohet partia, por jo edhe si bëhet shteti, forcën e shtetit e barazonte me atë të partisë. Me çka nëpër ‘Shqipëritë’ tona ende mbisundon mendësia politike se partia e fortë është mbi çdo interes tjetër. Mendësi që neve na bënë të jemi besnikët e partisë dhe liderit partiak, por pa pasur thuajse asnjëfarë ndjesie ndaj shtetit.

Shkurt e shqip, në të gjitha ‘Shqipëritë’ tona ndodhi thuajse e njëjta: patriotizmi dhe çdo gjë që ka të bëjë me shqiptarinë, u barazua me interesat partiake. Pra libreza partiake u bë ‘certifikatë’ mbi gjitha të tjerat. Me çka u partizua çdo gjë e jona, e të cilën më së miri e pasqyrojnë debatet e përnatshme televizive mes ‘mendjendriturve’ tanë, të cilët bëhen copa mes veti, duke mbrojtur parimin se nuk është kriminel dhe hajdut vjedhësi i partisë sime, që më jep edhe mua, por ai i partisë kundërshtare, që vjedh nga unë dhe u jep të vetëve! Mendësi e cila rrënon, e nuk ndërton shtet!

Në Shqipëri prej muajsh po konsumohet një konflikt politik i paprecedentë që ka sjellë djegien e mandateve parlamentare të opozitës dhe protesta kundër kryeministrit Edi Rama. Në këndvështrimin tuaj, kë shihni përgjegjës për krizë në Tiranë dhe cila mendoni se do të ishte zgjidhja e duhur për të mos sjellë destabilitet?

Mehmeti: Përgjegjës për krizën e sotme në Shqipëri janë të gjithë ata politikanë, të cilët thuajse tri dekada me radhë janë duke ia djegur vendit të sotmen e të ardhmen. E Kryeministri i sotëm është fytyra më e besnike e politikanëve që Shqipërisë ia morën të gjitha, duke mos i dhënë asaj asgjë. Pra ai është portreti më besnik i një klase politike që thuajse tri dekada me radhë e sunduan vendin, por duke mos mundur t’i sundojnë pirjet e tyre destruktive, pra duke e humbur pushtetin mbi vetveten.

Mendoj se kriza e fundit që ka kapluat Shqipërinë, do sjellë një të mirë: do e shpëtojë vendin nga një gjeneratë politikanësh që nuk dinë të bëjnë asnjë punë tjetër, përpos se të merren me politikë. Pra do e shpëtojë Shqipërinë nga burrështetasit që u pasuruan duke e varfëruar shtetin e popullin, të cilët janë ta gatshëm ta djegin edhe fatin kolektiv, për ta fshehur fytyrën e vet prej hajduti.

Pra besoj se kjo krizë politike, që ka mbërthyer Shqipërinë, do krijojë hapësirë për ardhjen e një gjenerate të re politikanësh, si zgjidhje e vetme që kjo shqiptari ta shpëtoj vetveten nga përqafimi ngulfatës i burrështetasve të sotëm. E kjo do ndodh ditën kur do bie kjo qeveri, e cila do e tërheq me vete një kastë politike, e cila thuajse tri dekada me radhë mbolli farën e bimës së keqe politike, për to cilën u fola më lartë.

Shpesh herë keni kritikuar ashpër Kryeministrin Edi Rama për mënyrën sesi po drejton Shqipërinë. Pas 21 vitesh në poste të ndryshme drejtuese dhe pas 6 vitesh si Kryeministër i Shqipërisë, çfarë do t’i sugjeronit Edi Ramës?

Kim Mehmeti: Në Maqedoninë ku jetoj, janë ndërruar tri gjenerata të drejtuesve partiak nëpër partitë maqedonase, dhe rrallëkush i mbanë mend emrat e ish-kryeministrave dhe presidentëve të shtetit. Ndërkaq, ne shqiptarët, mbetëm me elitat politike që na i solli postkomunizmi. Në Maqedoninë ku jetoj, dënohet me burg edhe ish kryeministri, e në Shqipëri flitet për keqpërdorime të përmasave perverse dhe për kanabizim të shtetit, e Kryeministri del në ekranet televizive dhe i përqeshë dhe i akuzon akuzuesit e vet.

Pastaj fjalorin që e përdorin shumice e deputetëve të Shqipërisë, me në krye Kryeministrin e vendit, kanë turp ta përdorin edhe vashat e përdala dhe djemtë rrugaç të katundit ku jetoj, e le më ata që njohin turp e njerzillëk.

Dhe vlerësuar sipas zënkave mes disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, e ku më i zëshëm është Kryeministri i vendit, ke përshtypjen se shteti është kapur nga ata që besojnë se paturpësia, papërgjegjësi dhe gënjeshtrat, janë vlera mbi të cilat qëndron demokracia. Dhe ka ardhur puna deri aty sa ne duhet të turpërohemi nga paturpësia e tyre.

Andaj edhe s’ke çka i sugjeron njeriut që të lë përshtypjen se nuk e ka kuptuar më parësoren që duhet ta dijë një burrështetas: se çfarë i ka hije të bëjë e të thotë budallai i mëhallës, nuk i ka hije të parit të shtetit, se e ka pru punën deri aty sa paraqitjet e tij publike duhet të shoqërohen me paralajmërimin: keni kujdes, është e ndaluar për adoleshentët, ngaqë folësi është i paparashikueshëm dhe mund të bëjë ndonjë sjellje të turpshme dhe të përdorë fjalorë të pistë!

Që nga muaji gusht i vitit që lamë pas në Prishtinë është hedhur nga Presidenti Hashim Thaçi ideja e “korrigjimit” apo shkëmbimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ju personalisht e keni cilësuar si një projekt serb, por si shpjegohet që një variant i tillë deri më tani ka mbështetjen e dy politikanëve shqiptarë, Hashim Thaçi dhe Edi Rama?

K.Mehmeti: Sikur Presidenti i Kosovës të kishte lexuar pak më shumë se sa abetaren, do i kishte rënë në dorë edhe projekti serb i Dobrica Qosiqit për ‘zgjidhjen’ përfundimtare të konfliktit serbo-shqiptarë, nëpërmjet shkëmbimit të territoreve. Dhe nëse Presidenti i Kosovës do merrej me shumë me hallet e popullit të vet, se sa me brengën si ai e Vuçiqi të mbeten përjetësisht në pushtet, që moti do e kuptonte se është e pamundur të të takojë edhe lavdia e djeshme e ‘çlirimtarit’ edhe fama dhe pasuria e politikanit të sotëm. Pra do e kuptonte se kur je injorantë dhe i pavlerë, si dhe kur ‘lavdinë’ e djeshme e përdorë si ‘kartë-kredie’ për ta blerë të sotmen politike, kot që për ty shkruajnë libra, sepse herdo-kurdo ‘kartela’ të zbrazet dhe përballesh me të vërtetën se nuk ka pasuri apo pushtet, që ta mbulon ‘varfërinë’ morale dhe njerëzore!

Dhe Presidenti i Kosovës merret me ‘korrigjim’ kufijsh sepse me asgjë nuk mund ta ndihmojë ‘korrigjimin’ e pozitës mjerane të vendit që përfaqëson, të vendit që nga djep i mburrjes sonë kombëtare, u bë thuajse varrezë masive e ëndrrave rinore. Dhe kuptohet, tërë këtë ‘strategji’ të vet për ‘t’ia marrë’ Serbisë Preshevën, duke mos i dhënë asaj asgjë si kundërvlerë, Presidenti i Kosovës nuk do mund ta shpaloste kaq guximshëm dhe paturpshëm pa mbështetjen e’ piktorit’, i cili e morr veshtë se ka shqiptarë edhe matanë kufijve të mëmëdheut atëherë kur duhej diku ta promovonte ‘Kurbanin” e tij, pra pasi u bë Kryeministër i Shqipërisë.

Sidoqoftë, ka ardhur koha kur shqiptaria duhet ta shpëtojë vetveten nga këta burrështetas që e përbuzin inteligjencën tonë, duke menduar se ne i kemi ngatërruar ëndrrat për “Shqipëritë” tona dhe se nuk e shohim se ato u bënë vende me institucione të partizuara, me gjyqësor që e zbaton ligjin vetëm ndaj varfanjakut që vjedhë 50 euro për t’i ushqyer fëmijët, por jo edhe ndaj politikanit që e plaçkitë popullin, me sistem të rrënuar shëndetësorë ku vdesin varfanjakët, e ku nuk shkojnë të shërohen burrështetasit e sëmurë, me institucione publike arsimore ku libreza partiake ta siguron edhe titullin shkencor…, se u bënë shtete që shenjë njohëse kanë keqqeverisjen dhe korrupsionin!

Në këmbim të territorit të Kosovës, enturazhi i kryeministrit Edi Rama në mënyrë të rafinuar po hedh për konsum publik tezën e një bashkimi të mundshëm Shqipëri-Kosovë. Si duhet të reagojnë shqiptarët në gjithë rajonin ndaj një ideje të tillë?

K.Mehmeti: Ëndrra dhe ideali për bashkim kombëtar nuk do vdes deri sa të ketë shqiptari. Por atë ëndërr nuk mund ta jetësojnë politikanët si Kryeministri i Shqipërisë, që e ‘copëzoi’ edhe atë pakë mëmëdhe që kemi. Si mund ta bashkojë shqiptarinë ai që nuk mundet të komunikojë njerëzishëm me të zgjedhurit e popullit të vet?! Si mund ta bashkojë popullin ai që nuk ndjen përgjegjësi për asgjë, të cilin kur e përballë me aeroplanët që ulen për të ngarkuar marihuan, ai to thotë se ato janë mushkonja, të cilit kur i thua se ka bashkuar krimin me politikën, ai të përqesh…, pra si mund ta bashkojë popullin e vet ai që gënjeshtrën dhe papërgjegjësinë i ka instrumente të vetme për të mbijetuar politikisht?!

Në Tiranë ekziston perceptimi se pas ardhjes në pushtet të Zoran Zev me ndihmën partive shqiptare kryesisht BDI, situata ka ndryshuar për mirë për shqiptarët duke nisur me zbatimin e ligjit për gjuhën, përfaqësim më i madh në institucione dhe vendimmarrje. A zgjidhen problemet e shqiptarëve vetëm me gjuhen dhe përfaqësimin?

K.Mehmeti: Krahasuar me regjimin e deridjeshëm të VMRO-BDI’së, çdo qeveri të del me e mirë. Dhe duhet pranuar: me rënien e qeveris së mëparshme, tani në Maqedoni merret frymë më lehtë. Andaj edhe janë ngjallur shpresat se më në fund, Maqedonia do ecë rrugës së mbarë drejtë harmonizimit të marrëdhënieve ndëretnike.

Dhe kjo do varet nga të gjithë ne, pra edhe nga drejtuesit e këtushëm të partive shqiptare, të cilët deri më tani zbatonin vetëm “tregtinë” politike, nëpërmjet të cilës tregtie ia dilnin që interesat kolektive t’i shkëmbenin me përfitimet e tyre personale. Andaj elitat politike maqedonase shqiptarëve u ‘jepnin’ aq sa mjaftonte për t’i kënaqur drejtuesit e partive të tyre. Me çka shqiptarët e këtushëm jetonin nënë sundim të dyfishtë: nën atë të qeverisë shtetërore dhe nënë sundimin e partisë shqiptare në pushtet. Dhe paguanin ‘haraç’ të dyfishtë: taksën që ua merrte shteti dhe haraçin e shqiptarisë, që ua merrte partia shqiptare për t’i punësuar.

Pra Maqedonia kurrë nuk ka pasur interes shtetëror edhe interesin shqiptarë, por atë të partisë shqiptare në pushtet. Të shpresojmë se me emrin e ri të vet, ky shtet do e kuptoj se nuk ka të ardhme, nëse atë nuk e ndjejnë si të vetin edhe shqiptarët e këtushëm.
Shtuar më 29/03/2019, ora 13:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori