Kikia shpërthen ndaj Zhejit për videon seksuale: Do të hedh në gjyq
Një video e shumëpërfolur seksuale e një ministri shqiptar duket se ka vënë në një përballje të fortë dy emra të njohur të medias shqiptare.

Një deklaratë e Artur Zhejit ka revoltuar mjaft Mentor Kikinë, duke i cilësuar si shpifje në atë se çfarë janë analizuar në emisionin "Opinion". Gazetari e analisti Artur Zheji deklaroi dje se ka parë disa sekuenca të videos së shumëpërfolur seksuale të një ministri shqiptar, të cilat ia ka treguar kryeredaktori i Top-Channel, Mentor Kikia.

Për këtë arsye, ky i fundit thotë se do ta hedhë në gjyq Zhejin për një deklaratë të tij dhe duhet të tregojë me fakte dhe me prova sekuencat filmike që pretendon se ka parë.

Ja reagimi i gazetarit Mentor Kikia:

"Një intrigë e ndyrë e Artur Zhejit me video-politikë në “Opinion”

Mbrëmë në emisionin “Opinion”, analisti Artur Zheji, si të ishte në gjendje të dehur, ndërsa fliste për thashethemnajën e ditëve të fundit mbi ekzistencën e ca videove seksuale me ministra e kryetarë bashkie, deklaroi pa u menduar gjatë, se ka parë disa frame(sekuenca) dhe disa foto të shkëputura nga një video seksuale që ia kisha dërguar unë, pra Mentor Kikia i Top Channel, siç ai u kujdes ta saktësonte “mbiemrin” tim profesional.

Ai foli edhe për pozicionin e atyre që bënin seks, madje qe i kishte pare ne video. Pastaj Zheji foli për një ankand që qenka hapur nga ai që ka videon(që i bie të jem unë në këtë rast) dhe se pazari fillestar qenka 2 milion Euro. Të cilat sipas tij, një ministër që fiton 5 milion Euro gjatë një mandati, nuk i ka gjë.

Nejse, këto kalkulime janë të tijat dhe i di ai, por unë dua të saktësoj publikisht, se deklarata e tij lidhur me foto dhe frame-t e videos që i kam dërguar unë, është një shpifje e ndyrë, pa asnjë bazë dhe tërësisht haluçionante.

Unë nuk kam parë e nuk kam patur asnjë fotografi, asnjë fram-e videoje e asnjë video me të tillë përmbajtje.

Dhe, nëse do ta kisha, dhe do të mendoja se përbën lajm, nuk do t’ia jepja Zhejit, për ta hedhur në një blog që ai paska hapur për të bërë gazetari tani në pleqëri, por do ta përdorja vetë si gazetar.

E theksoj, si gazetar dhe jo si gjobaxhi blogjesh. Unë nuk kam kontaktuar asnjëherë me Zhejin, që prej 16 vjetësh kur ai ishte drejtor në TVA dhe unë redaktor, dhe kërkonte t’ia dërgonin gazetarët tekstet e lajmeve në restorant për ti parë.

Ndërsa me Zhejin do të përballem në gjyq, ku ai duhet të tregojë fotot dhe fram-et e videos që unë i kam dërguar. Nëse ai nuk i tregon ato dhe ku e si ia kam dërguar unë, do ti kërkoj të më dëmshpërblejë me vlerën fillestare të ankandit që, sipas tij, qenka hapur për videon e plotë të skandalit seksual.

Besoj se nuk e shpëton dot Zhejin as fakti që në versionin online të Opinion, është këputur pjesa (frame-i) ku Zheji shpif ndaj meje". /albeu.com/
Shtuar më 03/06/2016, ora 13:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori