KFOR-i amerikan nuk bashkepunon me strukturat paralele
Pëlqej
Albeu.com
Komandanti i Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes (BSHL), gjeneral brigade Larry Kay, tha të hënën se KFOR-i amerikan në komunat e rajonit të Lindjes nuk bashkëpunon me strukturat paralele, por vetëm me ato legale.Duke folur për situatën e tanishme, veçmas për shpërthimin në zyrën e ICO-së, kreu i forcave amerikane në Kosovë, gjenerali Kay tha se bombat nuk janë mjete për t’u dëgjuar zëri i dikujt. Duke pas parasysh momentin e tashëm të konfuzitetit në Kosovë, ai kërkoi nga qytetarët që të jenë gjakftohtë.

Pavarësisht zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, paqeruajtësit amerikanë në sektorin e lindjes e vlerësuan të qetë gjendjen dhe shprehen vendosmërinë e tyre për t`u ballafaquar me çdo kënd që tenton ta sfidojë paqen dhe sigurinë e cila mbretëron në rajonin ku ata janë përgjegjës.

“Të gjitha kërcënimet, ne i marrin shumë seriozisht”, tha komandanti i Kampit Ushtarak Amerikan ”Bondsteel”, gjenerali Larry Kay, në përgjigje të interesimit të gazetarëve rreth rastit të shpërthimit në Prishtinë. Ai tha se ka individë që dëshirojnë të arrijnë diçka me anë të dhunës, por nuk ka asnjë dyshim se shumica e popullatës e dëshirojnë paqen dhe qetësinë, “prandaj edhe do t’i përkrahim shumicën”.

“Ka forma të ndryshme nëse ndokush dëshiron që të dëgjohet zëri i tij, por bomba nuk është mjeti i duhur për ta bërë këtë dhe aktivitete të këtilla nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë”, tha gjenerali Kay.

Duke folur për demarkacionin e kufirit me Maqedoninë, gjenerali Kay tha se demarkacioni është një tregim i suksesshëm përkundër disa përpjekjeve të individëve për ta penguar atë, por ata përfunduan në pranga. “ Është e qartë se qytetarët e Kosovës nuk i përkrahin dhe janë kundër aktivitete ilegale të një pakice”, tha ai.

Ai tha se KFOR-i po bashkëpunon shumë mirë me policinë e Maqedonisë dhe policinë kufitare të Kosovës për mbikëqyrjen dhe pengimin e aktiviteteve ilegale në zonën kufitare, gjë që sipas tij, po bëhet me vendosmëri të madhe si asnjëherë më parë.

Kreu i forcave paqeruajtëse amerikane gjenerali Larry Kay lavdëroi Policinë e Kosovës (PK) për punën e saj që po bën dhe sipas tij, suksesi i PK-së është rezultat i besimit dhe i raporteve të mira që ka ndërtuar me qytetarë. Ai tha se PK ka rolin prijës në mbrojtjen e rendit dhe ajo po tregohet mjaft efektive dhe shtoi se KFOR-i bashkëpunon me policinë në shumë plane specifike, të cilat siç tha ai “jemi të gatshëm t`i zbatojmë kudo dhe kurdo”.

“KFOR-i është i gatshëm t`i përgjigjemi çdo kërkese të policisë për ndihmë, nëse fuqia ushtarake e KFOR-it vlerësohet e nevojshme”, tha komandanti i BSHL-së, gjeneral brigade, Larry Kay.

Veton Rugova,start
Shtuar më 18/11/2008, ora 03:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori