Këtë vit, Bajrami nuk do të falet në sheshin ''Skënderbej''
Pas mbylljes si pasojë e koronavirusit, objektet e kultit kanë rihapur dyert dhe mirëpresin besimtarët, edhe pse në masa të rrepta sigurie.

Pas dy festave fetare të kaluara në heshtje (Pashkët), me Fitër Bajramin nuk do të ndodhë e njëjta gjë. Fundi i muajit të shenjtë të Ramazanit, nuk do të jetë i njëjtë me fillimin. Iftaret e syfyret e përbashkëta dhe faljet janë kryer në mënyrë individuale në shtëpitë e tyre dhe jo në atë të përbashkëtën, xhami.

Pas shtrëngesave në kuadër të Covid-19, besimtarët myslimanë tanimë mund të shkojnë në xhami për të kryer namazet speciale në ditët e mbetura që do të kulmojnë këtë të diel me faljen e madhe në shesh. Ndryshe nga vitet e kaluara, siç e do tradita, falja e Bajramit nuk do të bëhet në xhaminë e madhe, por në atë më të afërt.

Xhamitë nuk do të jenë të hapura për të gjithë. Të moshuarit dhe fëmijët nuk do të lejohen të vijnë, ndërsa të tjerët do të mund të hyjnë vetëm me maskë e doreza. Dezinfektimi dhe kontrolli i temperaturës në hyrje është vendosur kusht edhe për objektet fetare, që janë rihapur nga kjo e hënë duke respektuar 2-metërshin e distancimit gjatë faljes. Besimtarët janë të lirë të marrin me vete sixhadet përkatëse për të shmangur çdo lloj mundësie infektimi, ndërsa të ashtuquajturat abdeshane (vendi ku merret abdes përpara faljes) do të jenë të mbyllura deri në një moment të dytë.

Imamët e xhamive kanë menduar se si të përballojnë fluksin e besimtarëve duke organizuar me turne dhe në mënyrë të shkurtuar procesin. Rregullat janë të vlefshme edhe për zonat e gjelbra, edhe pse nuk ka raste infektimi. Vendimi i 11 marsit për mbylljen e xhamive e kishave zemëroi besimtarët, por lajmi i mirë nga kjo e hënë i ka gëzuar jo pak ata që duan të rikthehen në shtëpinë e Zotit.

KISHAT

Konferenca ipeshkvnore e Shqipërisë e ka marr vetë vendimin për rifillimin e aktivitetit fetar të pezulluar me dekretin e datës 12 mars. Për kremtimet publike, sugjerohet mundësia e kryerjes në ambientet e jashtme të kishave.

“Gjatë mbledhjes plenare të datës 19 maj 2020, pasi u dëgjuan të gjitha mendimet e ipeshkvijve e duke marrë parasysh rrethanat e krijuara vendosi të rifillojë në të gjithë territorin e Shqipërisë aktivitetet fetare të pezulluara me dekretin e datës 12 mars 2020, sidomos kremtimet liturgjike publike, duke vlerësuar edhe ambientet e jashtme e po ashtu duke mbajtur parasysh udhëzimet e ipeshkvijve të çdo dioqeze dhe masat e duhura të dhëna nga ekspertët”, thuhet në njoftimin e marrë nga Presidenti i konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Mons. George Frendo.
Shtuar më 20/05/2020, ora 08:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori