Këshilltari i LSI-së shpërthen ndaj deklaratave të PD-së: Takimi i fshehtë…
Këshilltari i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Bashki, Eltjon Halimi ka reaguar ndaj statusit të kolegut të tij të djathtë, Akil Kraja mbi të vërtetën e votimit të një dite më parë.
Ai nuk e pranon se ka një marrëveshje të fshehtë LSI-Bashki për kalimin e vendimit për rritjen e çmimit të ujit.

“Dje, nuk ka patur asnjë takim “të fshehtë” midis këshilltarëve PS-LSI, por ka patur vetëm një komunikim zyrtar, institucional, transparent dhe mediatik të Këshilltarëve të LSI.

Ka patur një dëgjesë mediatike, një deklaratë po mediatike për kërkesat në mbrojtje të familjeve në nevojë, pensionistëve, shërbimeve të shportës, lidhjeve të paligjshme të oligarkëve si dhe kundër konçensioneve të shkollave.

Para mbledhjes përsëri një deklaratë mediatike përpara Bashkisë, të përfaqësueses të Këshilltarëve të LSI, dhe mospjesëmarjen në sallë dhe në votim të Këshilltarëve të LSI. Kjo është e vërteta e vetme, e mbledhjes së djeshme!

E vërtetë që nuk lidhet me asnjë koncesion, me asnjë nga këshilltarët e përjashtuar nga Grupi I LSI, dhe as me pjesëmarrjen për kuorumin fillestar të mbledhjes nga këshilltarët e PD”.

Referuar akuzave për “blerje” të këshilltarëve, Halimi nënvizon se për këshilltarët e LSI, shumica e të cilëve janë studentë të ekselencës, prania në këshill nuk lidhet aspak me miliona euro, por vetëm me ngritjen dhe zgjidhjen e miliona halleve dhe shqetësimeve të të rinjve dhe familjeve të thjeshta të Tiranës!

Më herët, Kraja i Partisë Demokratike në një status në rrjetet sociale dha versionin e tij mbi situatën e një dite më parë në këshill.

“Thirrja jonë ishte fare e thjeshtë: 19 votat tona me 13 votat e LSI përbënin shumicën e vendimmarrjes së këshillit (32 nga 61 këshilltarë në total).

Ne mund të bllokonim Erion Velinë por pazari 240 milionë eurosh rezultoi të ishte më i fortë. Të mërkurën, në orën 18:00, pavarësisht thirrjes sonë, LSI luajti me dy porta. Veliajt ju dha vota, popullit ju dha fatura. Vota e bashkimit PS/LSI vlen 240 milionë euro.

Kjo është e vetmja e vërtetë nga mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak Tiranë. 180 milionë euro për UKT-në dhe 60 milionë të tjerë për konçesionin e shkollave të Tiranës. Qindra milion euro të qytetarëve të Tiranës për interesat okulte të Erion Velisë”.

Kujtojmë se prania e PD-së në këshill i dha mundësinë këshillit bashkiak të niste mbledhjen, ndërsa dy votat nga radhët e LSI i dhanë “OK” 17 projektvendimeve, që nga rritja e çmimit të ujit deri te koncesioni i shkollave. /albeu.com/

Shtuar më 27/07/2017, ora 17:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori