Këshilli i BSH i kërkon Kuvendit caktimin e guvernatorit të ri
Pëlqej
Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë i ka kërkuar sot Kuvendit që të zgjedhë sa më parë guvernatorin dhe inspektorin e ri të BSH-së, pas arrestimit të Ardian Fullanit dhe Elivar Golemit.

Përmes një deklaratë, keshilli thotë se situata në sistemin bankar është e qendrueshme.

“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u mblodh sot, në datën 10.09.2014 për të ndjekur nga afër dhe në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet në tregjet dhe institucionet financiare, si edhe në veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë.

Mbështetur në informacionin e analizuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se zhvillimet në tregjet e parasë, të këmbimit valutor dhe në atë ndërbankar, paraqiten të qëndrueshme në drejtim të vëllimit të veprimtarisë dhe të luhatshmërisë, në përputhje me ecurinë e tyre sezonale dhe trendet historike. Të dhënat operative nga sektori bankar, tregojnë një ecuri normale të nivelit të depozitave dhe një situatë të qëndrueshme në zhvillimin e veprimtarisë.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh me ecurinë e masave të marra dhe vlerëson përpjekjet e drejtimit të Bankës së Shqipërisë për normalizimin e situatës. Në këtë kuadër, Këshilli Mbikëqyrës thekson vlerësimin dhe mbështetjen e plotë për punën e personelit të institucionit qendror monetar.

Këshilli Mbikëqyrës, ndonëse çmon se përcaktimet ligjore janë të mjaftueshme për zhvillimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë edhe në situatën aktuale, shpreh nevojën për organizimin e drejtimit të institucionit në një kohë të shpejtë. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës sjell në vëmendjen e Kuvendit faktin që ligji nuk siguron vazhdimësinë e funksionit të Inspektorit të Përgjithshëm, në kushtet e mungesës së tij. Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës rithekson angazhimin e plotë për ushtrimin me përgjegjshmëri të funksioneve që i cakton ligji”, thuhet në deklaratën e Këshillit Mbikqyrës. /albeu.com/
Shtuar më 10/09/2014, ora 16:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori