Kermabon i gatshëm të bisedoj edhe me të zgjedhurit e 11 majit
Albeu.com
Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Yves de Kermabon ka deklaruar për mediat serbe se “është i gatshëm të bisedojë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të zgjedhur në zgjedhjet serbe të 11 majit”, të cilat UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës i kanë quajtur joligjore dhe të pavlefshme."Jam i gatshëm të bisedoj më të gjithë, pasi që konsideroj se kjo është mënyra e vetme për t’i gjetur zgjidhjet për popullatën serbe këtu”, ka deklaruar Kermabon për Tanjug, duke shtuar se ka dëshirë të shkoj në veri të Kosovës sapo të gjej njerëzit që janë të gatshëm për bisedë.

Ai ka thënë se EULEX-i për momentin është duke e vendosur misionin e tij në Kosovë, ku tashmë ka 300 njerëz të angazhuar. “Synimi ynë ka qenë që të jemi të gatshëm deri më 15 qershor, mirëpo kemi vështirësi politike e teknike, andaj duhet të shtyjmë datën e fillimit të punës të misionit në Kosovë”, ka thënë de Kermabon.

“Vështirësia e parë për fillimin e punës të misionit të BE-së në Kosovë është se UNMIK-u ende ka pushtetin, gjë që na pengon që t’i sjellim disa vendime, ndërsa vështirësia e dytë është logjistika”, ka thënë De Kermabon, duke shtuar se EULEX-i nuk do t’i marrë kompetencat nga UNMIK-u.

"Do t’i marrim përgjegjësitë tona në bazë të instruksioneve nga Brukseli”, ka thënë ai, duke potencuar se ndër synimet e tij parësore është që misionin e BE-së të vendos në tërë territorin e Kosovës. (Telegrafi)
Shtuar më 21/05/2008, ora 17:39
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori