Kerkohet largimi i ministrit Zenun Pajaziti
Albeu.com
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, Rrustem Mustafa, ka kërkuar të shtunën nga kryeministri i vendit largimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.
“Pas kësaj ndërprerjeje të pakënaqësisë së policëve, besoj që kryeministri do të marrë njerëz të rinj që dinë të marrin vendime dhe dinë të komunikojnë drejt”, ka thënë ai për gazetën. “Meritat” që MPB-ja proklamon se ka arritur me rritjen e pagave të policisë, ai i ka quajtur si hapa të dështuar dhe të pamatur. Që nga vjedhja e drogës në objektet e Policisë, Mustafa, i cili është edhe nënkryetar për çështje organizative i PDK-së, ka kërkuar vazhdimisht largimin e Sheremet Ahmetit nga pozita e drejtorit, ndërsa pas grevës në Kishnicë ai ka deklaruar se edhe ministri Pajaziti duhet të largohet.
“Nuk është i gjithë problemi te pagat, por kanë ardhur në pozita menaxheriale, qoftë edhe në ministri, njerëz që komunikojnë në mënyrë jo të sinqertë me ta, dhe kjo qasje duhet të ndërrohet”, ka vlerësuar Mustafa. “Kjo qasje mund të ndërrohet me dashtë kryeministri”.

Argument për këto, sipas Mustafës, është premtimi i 3,5 milionë eurove shtesë që në fakt nuk ekzistojnë dhe premtimet e mëdha për paga të policëve që doli të jenë tepër të vogla. Ai ka thënë se duhet të largohet udhëheqja e tanishme e MPB-së dhe të vijnë njerëz të rinj që dinë ta menaxhojnë policinë.
“MPB-ja është dalë edhe herën e kaluar se janë rritë pagat, unë ua kam tërhequr vërejtjen edhe atëherë, edhe tash ua tërheq vërejtjen që të mos manipulojnë me të dhëna jo të sakta, jo të sigurta dhe joburimore”, ka thënë Mustafa në një intervistë për gazetën Koha Ditore.
Shtuar më 07/02/2010, ora 17:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori