Kerkohet doreheqja e Jankullovskes
Albeu.com
Ministrja e punëve të brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska duhet të japë dorëheqje dhe të mbajë përgjegjësi për incidentet e fundit të cilat po ndodhin. Kështu kanë vlerësuar analistët të cilët rrahjen mes grupeve të ...... ndryshme në xhaminë Isa Beu në Shkup dhe atë në Parlament e vlerësojnë si dalje e situatës nga kontrolli. “Incidentet e fundit në xhami dhe Parlament flasin qartë se nuk kemi një shtet të konsoliduar ligjor, ku ligji vjen në shprehje. Institucionet e shtetin duhet ta respektojnë ligjin dhe të tregojnë se janë institucione demokratike”, tha fillimisht juristi Mersim Maksuti. Ai porositi se politika nuk duhet të përzihet në gjyqësi dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këto incidente. “Vlerësojmë se ka intervenime të caktuara politike. Maqedonia duhet ta rregullojë situatën në atë mënyrë siç thotë ligji. Përgjegjësia në këtë rast i bie MPB-së dhe shefes së saj Jankullovska”, tha Maksuti. Vetë ministrja Gordana Jankullovska deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjegjësi duke parasysh shumë raste për pazgjidhura, përdorim të tepruar të forcave të policisë, vrasjes së shqiptarëve në rrethana të pandriçuara etj. Duke komentuar incidentin e fundit në parlament, Jankullovksa e kahëzoi atë në aspektin politik. “Mendoj se ata të cilët e nxitën këtë incident duhet të mbledhim guxim që të kërkojnë falje për gabimin e bërë, të tërhiqen nga ajo që e bënë dhe të kthehet sërish dinjiteti i Kuvendit. Ikja nga përgjegjësia dhe nga e vërteta është sinjal i mungesës së moralit dhe tregues u edukatës personale”, tha Jankullovska, pasi kishte analizuar shkaqet e incidentit në Parlament. Përkundër kësaj deklarate ku faji nuk pranohet kurrë, analisti Nazmi Maliqi thekson se Jankullovska duhet ët mbajë përgjegjësi për situatën e vrazhdët të sigurisë në Maqedoni. “Ministrja Janukollovska më shumë duhet të luaj rolin shtetëror se sa atë partiak, pasi atëherë krijohen shthurje dhe incidente në shtet”, tha Maliqi. Sipas tij, kjo situatë krijohet pasi nuk merr përgjegjësi askush. “Kur krijohen raporte të tensionuara politike, kur pozita dhe opozita s’i ndajnë përgjegjësitë, kjo do të thotë se çdo përgjegjësi mbetet në rrethet e ngushta partiake. Politikanët duhet të ngritin nivelin intelektual për t’i dhënë kuptim ligjeve”, tha profesori Maliqi, ekspert i çështjes së sigurisë. Gordana Jankullovksa që nga ardhja në pushtet e VMRO-DPMNE-së dhe formimin e qeverisë që udhëhiqet nga Nikolla Gruevski është njeriu i parë i policisë. Për gjitha incidentet të cilat kanë ndodhur duke filluar që nga rasti i Brodecit, vrasja e Harun Aliut dhe rastet e fundit, Jankullovksa është njëra prej ministreve që nuk iu është lëkundur aspak karrigia. (lajm)
Shtuar më 05/07/2010, ora 14:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori