Kerkese Topit: Shtetesi per te gjithe shqiptaret
Albeu.com
Një grup intelektualësh në Shqipëri kërkojnë nga presidenti shqiptar, Bamir Topi, që përmes një dekreti, të mundësojë përfitimin e shtetësisë shqiptare nga gjithë shqiptarët jashtë kufijve.Ata përmes një letre të hapur i janë drejtuar presidentit shqiptar, për t’i kërkuar “që të gjithë shqiptarëve nga Shqipëria etnike dhe diaspora t’u jepet nënshtetësi shqiptare”.

“Nuk ju kërkojmë më shumë, veç atë që ju obligon Kushtetuta dhe preambula e saj; „...Me aspiratën e popullit shqiptar për identitet dhe bashkim kombëtar”, shkruan me shkronja të arta në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në letër.

Intelektualët të cilët kanë firmosur letrën citojnë edhe Neni 8 të Kushtetutës shqiptare, i cili në mënyrë decidive përcakton: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj dhe shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet”.

Një plan i tillë është zbatuar nga shtetet fqinje siç janë Maqedonia, Bullgaria, Serbia dhe vendet tjera ish-jugosllave.

Juristë dhe avokatë shqiptarë nuk përjashtojnë mundësinë që kryeministri Sali Berisha me dekretin e presidentit Bamir Topi të përmbush premtimin e dhënë në vitet e 90-ta, kur kishte pohuar se çdo shqiptar në botë është shtetas i Shqipërisë.

“Duhet të realizohet kjo, sepse kemi rastin konkret edhe të maqedonasve, të cilët kudo që janë posedojnë edhe shtetësinë e Maqedonisë. Sidomos një mundësi e tillë po shfrytëzohet nga shqiptarët që jetojnë në kufirin me Maqedoninë, të cilët deklarohen se kanë origjinë maqedonase”, ka theksuar juristi Numan Limani për agjencinë e lajmeve INA.

Në rast të ndryshimeve të paralajmëruara, atëherë të drejtën e pajisjes me shtetësi shqiptare do ta kenë mbi 5 milionë shqiptarë në rajonin e Ballkanit.
Shtuar më 31/07/2010, ora 11:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori