Kërcënonte policin, si u zbuluan mesazhet e të riut
Policia e Shtetit ka zbardhur pas 6 muajsh hetimi kanosjen për vrasje të një punonjësi policie përmes rrjeteve sociale.

Policia thotë se në kuadër të operacionit të koduar “Kërcënimi” ka arrestuar 24-vjeçarin me iniciale A.S banues në Gosë të Kavajës. Kërcënimi i punonjësit të policisë është bërë nga 24 vjeçari nëpërmjet mesazheve në rrjetet sociale.

“Pas një hetimi 6-mujor, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota në lidhje me kallëzimin e marrë nga një punonjës policie i cili ndihej i kërcënuar në rrjetet sociale, për shkak të detyrës, nga një shtetas i panjohur.

Pas kryerjes së hetimeve, Njësia C për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Kavajë për masën e sigurisë “Arrest në burg”për shtetasin:

A. S., 24 vjeç, banues në Gosë, Kavajë, me precedentë të mëparshëm kriminal, pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”., sqaron policia.

Si i riu kërcënonte policin nëpërmjet mesazheve

“Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia C – Hetimi i Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se ky shtetas kishte hapur një numër të madh profilesh të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme. Nëpërmjet mesazheve që dërgonte nga këto profile të rrjeteve sociale kanoste në mënyrë të vazhdueshme punonjësin e policisë dhe familjarët e tij, për shkak të detyrës që ky punonjës kishte kryer.

Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtij shtetasi, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një telefon celular i markës “Samsung”.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat që mund të jenë të lidhur me këtë shtetas. Ndërsa materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale.
Shtuar më 24/11/2020, ora 09:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori