Kërcënim me bombë Buçkovskit
Albeu.com
Alarmi për vendosjen e një bombe, i komentuar si i qëllimshëm në asamblenë e FSHF-së, realisht kishte një tjetër objektiv. Kërcënimi me bombë, i lajmëruar në sallën operative të policisë së kryeqytetit kishte si objektiv delegacionin maqedonas, të kryesuar nga kryeministri Vlado Buçkovski.Burime nga policia e Tiranës pohojnë për “Shekullin” se me zbardhjen e këtij alarmi fals po merren specialistët e Antiterrorit, ndërkohë që delegacioni i kryesuar nga kryeministri maqedonas është marrë në mbrojtje nga forcat speciale të RENEA-s. Këto të fundit kanë shoqëruar gjatë gjithë aktiviteteve delegacionin e lartë të shtetit fqinj, me qëllim shmangien e ndonjë ngjarjeje të pakëndshme apo incidenti, pasojat e të cilit mund të ishin të rënda. Nga verifikimi i kryer nga ekspertët e Antiterrorit të drejtorisë së Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me ata të Ministrisë së Brendshme, ende nuk është ngritur ndonjë dyshim, kundrejt ndonjë grupi të caktuar apo ndonjë organizate të dyshimtë, të implikuar në lajmërimin fals të vendosjes së një bombe në ambientet ku ndodheshin zyrtarët e lartë maqedonas. Burimet nga policia e kryeqytetit pohojnë se 4 personat që kanë telefonuar në sallën operative të policisë, duke lajmëruar vendosjen e një bombe, janë prezantuar në emër të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”. Gjithsesi, ekspertët e Ministrisë së Brendshme nuk kanë përjashtuar mundësinë që emri i kësaj organizate të jetë përmendur për të shkaktuar panik apo frikë.
Alarmi për bombë
Mesditën e së hënës, në një nga hotelet kryesore të kryeqytetit, ku po zhvilloheshin një sërë aktivitetesh të rëndësishme, mbërritën dy telefonata anonime, që lajmëronin vendosjen e një bombe. Thuajse në të njëjtën kohë, dy telefonata të tjera, me të njëjtin mesazh mbërritën edhe në sallën operative të policisë së Tiranës, duke ngritur në këmbë drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Brendshme. Telefonatat e njëpasnjëshme paralajmëronin shpërthimin e një sasie eksplozivi në ambientin ku ndodhej delegacioni maqedonas. Policia dhe ekspertët e xhenios së repartit të RENEA- s kanë mbërritur menjëherë në mjediset e hotelit, duke kryer edhe kontrollet e nevojshme. Kontrollet e kryera nga specialistët antiminë kanë nxjerrë se alarmi ishte i rremë. Gjithsesi, policia ka nisur hetimin për ngjarjen e mësipërme, duke pyetur fillimisht punonjësit e policisë si dhe të hotelit, për të zbuluar “ngjyrimet” e zërit anonim si dhe për të përafruar ngjashmëritë e mundshme. Gjithsesi, zbulimi i ndonjë detaji në këtë rast ka qenë thuajse i pamundur, pasi personat që kanë folur me telefonuesin, kanë pohuar se zëri i tij ishte i mbytur dhe i manipuluar. Nuk dihet se në çfarë dialekti kanë komunikuar kërcënuesit, por mësohet se ata kanë folur me një zë të mbytur dhe të vështirë për t’u identifikuar.
Masat
Verifikimet e policisë dhe kontrollet e kryera prej tyre kanë siguruar drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Brendshme se nuk kishte asnjë rrezik për delegacionin maqedonas dhe se telefonata s’ishte gjë tjetër veçse një alarm fals. Edhe pasi janë bindur për këtë fakt, krerët e Ministrisë së Brendshme kanë vendosur të rrisin masat e sigurisë për delegacionet e huaja, kryesisht për delegacionin e drejtuar nga kryeministri i Maqedonisë. Kështu, me ruajtjen e delegacionit maqedonas është caktuar një grup nga forcat speciale të RENEA-s, të cilët nuk iu janë ndarë për asnjë moment zyrtarëve maqedonas, në takimet e tyre të djeshme. Ndërkaq, hetimet e mëtejshme të ekspertëve të Antiterrorit pritet të zbulojnë personin apo grupin që qëndron pas këtyre telefonatave anonime, që ngritën në këmbë punonjësit e policisë.
Strukturat e Antiterrorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Struktura të Specializuara dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, filluan procedimet për hetimin e kësaj ngjarjeje në zbatim të nenit 272 të kodit penal: “Njoftimi i rremë në organet e Rendit” dhe për zbulimin e autorëve.

ALARMI

Misioni i parë i RENEA-s në mbrojtje të personaliteteve

TIRANË- Si asnjëherë tjetër më parë, në këtë mision të mbrojtjes së delegacionit maqedonas në Tiranë janë angazhuar forcat e repartit special të RENEA-s. Këta të fundit janë të njohur për ndërhyrje në lirimin e pengjeve apo operacione të një rrezikshmërie të lartë, por jo në mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërorë apo diplomatëve të huaj. Në këto detyra, më parë kanë qenë të angazhuar forcat e Gardës së Republikës. Ky institucion, deri para disa muajsh ka pasur si strukturë të saj drejtorinë e Mbrojtes dhe Sigurimit të Personaliteteve, e cila kishte një bërthamë të posaçme për mbrojtjen e diplomatëve të huaj, të cilët nuk dihet se përse nuk janë përdorur në këtë rast, por janë zëvendësuar nga specialët e RENEA-s. Burimet saktësojnë se një grup i këtij reparti është vënë në mbrojtje të delegacionit maqedonas, pas kërcënimit me bombë, të mbërritur në adresë të tyre dy ditë më parë, kërcënim ky që për fat të mirë rezultoi i rremë.

TELEFONATAT

10:10

Mbërrin telefonata e parë në hotelin luksoz në Tiranë, që paralajmëronte vendosjen e një bombe në mjediset ku ndodhej delegacioni maqedonas, i kryesuar nga kryeministri i shtetit fqinj, Buçkovski

10:20

Në recepsionin e hotelit mbërrin telefonata e dytë, e cila paralajmëronte të njëjtën gjë. Punonjësit e hotelit kanë lajmëruar policinë, e cila ka bërë të mundur evakuimin e personave

10:40

Mbërrin telefonata e tretë që lajmëron shpërthimin e një sasie eksplozivi, këtë herë në sallën operative të policisë së Tiranës, duke ngritur në këmbë drejtuesit më të lartë të rendit

10:52

Është shënuar telefonata e fundit, që përcaktonte si orë të shpërthimit të eksplozivit, 12:30. Pas kontrolleve të bëra u arrit në përfundimin se flitej për një alarm të rremë





01/03/2006
Shekulli
Shtuar më 01/03/2006, ora 11:44
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori