Këngëtarja Soni Malaj iu bashkua nismës së Bashkisë së Tiranës për të mbjellë pemë

Një artist i mirë është edhe një qytetar i mirë. Këngëtarja e njohur e skenës shqiptare, Soni Malaj, iu bashkua nismës së Bashkisë së Tiranës për të mbjellë pemë, me synimin për të shtuar gjelbërimin e qytetit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e falenderoi këngetaren për kontributin e saj artistik dhe u shpreh se tashmë me pemën “Kamelia” që ajo mbolli në Parkun e Liqenit Artificial, ka dhënë një kontribut për ta bërë qytetin më të jetueshëm dhe më të mirë për brezat e ardhshëm.

Soni Malaj, e cila ka lënë një emër të shkëlqyer në qytetin tonë, sot hodhi edhe rrënjë, ama jo rrënjë simbolike, por rrënjë të vërteta. Ajo mbolli një super pemë të bukur ‘Kamelia’, për të gjithë ata që do të vijnë gjatë gjithë këtij sezoni artistik në Amfiteatrin e Tiranës, sa hyn në derën kryesore, në të djathtë do të shohin pemën e Sonit. Jam shumë i lumtur sepse mesazhi që japim është se nuk mjafton vetëm me qenë artist i mirë, duhet me qenë mbi të gjitha qytetar i mirë”, tha Veliaj.

Më tej, ai theksoi se falë punës së bërë jo vetëm me gjelbërimin, por edhe me sistemimin dhe rikonstruksionin e gjithë Parkut të Liqenit Artificial, ai është kthyer në vendin më të preferuar të qytetarët, por edhe për artistët, që tashmë kanë një hapësirë dinjitoze për të bërë koncerte në natyrë. Ndaj, ai ftoi të gjithë artistët që të mbjellin pemë dhe të bëhen pjesë e angazhimeve artistike në Amfiteatrin i Liqenit.

“Një qytetar i mirë tregon kujdes për gjërat e qytetit; patjetër për karrierën e tij, për fansat, artin, muzikën, por edhe për pastërtinë, për gjelbërimin dhe për kulturën e përgjithshme, që na emancipon. Ndaj, Soni, unë të jam shumë mirënjohës, mezi pres që pas pemës të na bësh edhe një dhuratë tjetër, ndoshta ndonjë super spektakël tek Amfiteatri i Liqenit. Kemi një sezon me mbi 100 shfaqje, por jo të gjitha janë njësoj, disa janë super speciale dhe mezi pres që për të gjithë fansat e “Spirit Voice”, të tuat personalisht, edhe të gjithë karrierës tënde, të na bësh një surprizë”, shtoi Veliaj.

Këngëtarja Soni Malaj, në emër të edhe të komunitetit të artistëve, falenderoi Bashkinë e Tiranës që bëri të mundur rikthimin e Amfiteatrit të Liqenit në një skenë moderne. Ajo premtoi se shumë shpejt do të organizojë një concert për gjithë dashamirësit e muzikës së saj.

“Është fantastike në fakt të rikthehesh pas 22 vjetësh, nuk kemi pasur këto kushte, kanë qenë shumë herë më të vështira; Amfiteatri nuk ka qenë në këtë gjendje kaq madhështore, dhe në emër të të gjithë artistëve të falenderoj shumë që na e ke dhuruar. Për ne është dhuratë shumë e madhe ku mund të shpalosim artin tonë, edhe në fakt kemi menduar që në 1 Maj të bëjmë një koncert madhështor, me efekte speciale, orkestër, balerina, tamam për një ditë pranverore, edhe me shumë entuziazëm; Shumë muzikë për 1 Maj”, tha Soni Malaj.

Gjithashtu, këtij aksioni iu bashkuan edhe shumë qytetarë e përfaqësues institucionesh, të cilët mbollën pemë së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës
Shtuar më 20/03/2019, ora 14:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori