Rrezikon ta mbyllë shpejt me Juven nëse nuk ndërron qasje, ja tetë gabimet që duhet të shmangë Alegri

Drejtuesit e Juventusit e kanë marrë vendi min e tyre për të vijuar me Masimiliano Alegrin edhe në sezonin e ardhshëm. Pavarësisht problemeve të shumta të hasura në sezonin që u mbyll, drejtuesit i kanë dhënë dhe një shans tjetër Maksit. Ndaj Alegri e nis sezonin 2023-2024 i vetëdijshëm se nuk mund të gabojë më.

STARTI I SEZONIT – Në startin e sezonit të kaluar ai mori 9 pikë nga 15 të mundshmet. Në sezonin e tij të parë pas kthimit në timonin bardhezi mori 5 nga 15 pikë në javët e para. Nëse nuk do të ketë përmirësim në sezonin e ri, shkarkimi mund të vijë shumë më shpejt nga çfarë ai mund ta ketë menduar.

 PËRGATITJA FIZIKE DHE DËMTIMET – Një tjetër pikë kyçe dhe mjaft delikate për Alegrin në sezonin që lamë pas kanë qenë mungesat e shpeshta për shkak të dëmtimeve të shumta. Ndaj në fokus për sezonin e ri është parandalimi i dëmtimeve. Për të zgjidhur problemet, klubi e ka bërë më qendror rolin e prof.Xhovani Andreini, i cili ishte punësuar për të mbikëqyrur zonën e performancës.

IDENTITETI I SKUADRËS – Alegri ka nisur me një formacion të ndryshëm në çdo ndeshje, duke kaluar mbi 100 kombinime të ndryshme lojtarësh. Por përtej ndryshimeve të shumta, ana negative është se me ndryshimet e shpeshta në formacion, Juventusit i ka munguar stabiliteti, siguria dhe pikat e referimit, me lojtarët shpesh të çorientuar ose të vendosur jashtë pozicionit.

VENDOSJA DHE LOJA – Përtej diskutimeve të pambarimta mes atyre që parapëlqejnë lojën dhe atyre që parapëlqejnë rezultatin, ajo çfarë i mungoi Juventusit në sezonin e kaluar ishte mungesa e lojës. Nëse nuk mund të flasim për spektakël, bardhezinjtë kanë shfaqur problematika të mprehta në organizimin e lojës dhe automatizimin e veprimeve. Alegri është akuzuar shpesh për mangësi në lojën e skuadrës së tij, sidomos në fazën e ndërtimit të aksioneve dhe në finalizim, duke besuar në mënyrë të ekzagjeruar në zgjidhjet individuale.

VAZHDIMËSIA DHE PSIKOLOGJIA – Për pjesën më të madhe të sezonit të shkuar, Juventusit ka koleksionuar një seri të gjatë “black out”-esh, shpesh të pashpjegueshme. Ndodhte kur skuadra çorientohej para portës së kundërshtarit, ose pas pësimit të golave, ose viktimë e starteve të dobëta të takimit, ose fundit të tyre. Me pak fjalë, skuadra ka treguar mungesë të theksuar vazhdimësia përgjatë harkut të 90 minutave që kanë dobësuar forcën mendore, e cila pa dyshim ka gjetur një pasqyrë në një performance të dobët në lojë e rezultate.

MENAXHIMI I TË RINJVE – Juventusi i ka dhënë shansin mjaft të rinjve në sezonin që lamë pas. Por kjo jo, sepse drejtuesit dhe Alegri besonin verbërisht tek ata. Por kjo më shumë i detyrohet mungesave si pasojë e dëmtimeve të titullarëve.

NDESHJET E MËDHA – Vetëm një fitore në Champions, një ndeshje e çuditshme kundër Interit në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, një përballje e dyfishtë zhgënjyese kundër Seviljes në Ligën e Europës janë vetëm disa nga problemet e Juventusit në ndeshjet që vlejnë.

KOMUNIKIMI – I fundit, por jo më pak i rëndësishmi është komunikimi. Shpesh deklaratat në kampin bardhezi në vend të reflektonin dhe të përcillnin qetësi në skuadër, në fakt kanë bërë të kundërtën. Deklaratat kontradiktore të Sheznit – të justifikuara me mungesën e një italishteje të përsosur – janë shenja të një komunikimi problematik.

 


Shtuar 20.06.2023 11:07